Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e 8-vjeçarit në Fier, Gledis Nano: Çalamani u verifikua edhe 5 ditë para ngjarjes, nuk kishte informacion për krime të rënda


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, gjatë raportimit të tij në Komisionin e Sigurisë, ka dhënë shifra për situatën e rendit dhe sigurisë dhe kriminalitetin në vend.

Nano tha se mbetet shqetësues fenomeni i dhunës në familje që sipas tij gjatë këtij viti ka patur 3.7 % vepra penale më shumë se vitin e kaluar.

Gjatë fjalës së tij, Nano u ndal edhe në rastin e vrasjes së 8-vjeçarit në Fier, ku dha disa data kur autori i dyshuar Klodian Çalamani ishte kontrolluar dhe verifikuar për shkak të historisë së tij me veprat penale, por të gjitha informacionet që ishim marrë nga uniformat blu bënin fjalë për krime në fushën e vjedhjes ose ndaj pronës, jo për krime të rënda.

“Shqetësues fenomeni i dhunës në familje. Krahasuar me 2020, ka 3.7 % vepra penale më shumë. Janë 893 të mitur të dëmtuar nga vepra të ndryshme penale, pjesa më e madhe e tyre nga siguria rrugore, 331 të mitur.

Nga dhuna në familje 175 të mitur ose 19.5 e të miturve, nga krimet seksuale 67 të mitur duke shënuar një rënie nga viti i kaluar. Nga këto ngjarje, veçojmë ngjarjen datës 16 në fshatin Grecalli të bashkisë Fier ku u arrestua Klodian Çalamani i cili ka vrarë me sende të forta M.V. që e kishte groposur në oborrin e banesës. Autori rezulton një person i evidentur nga policia e shtetit një person me precedent. Gjykata e kishte dënuar me 4 vit burg për heqje të paligjshme të lirisë dhe është liruar nga burgu i Rrogozhinës më 6 gusht 2009 për plotësim të kohës së vuajtjes së dënimit.

Për këtë shtetas ka pasur të dhëna policore se ka aktivitet kriminal në drejtim të vjedhjes së banesave, bagëtive e shpendëve në fshat, informacione që kanë qenë pas verifikimeve Për autorin pas përfundimit të dënimit nuk ka pas informacione, të dhëna apo kallëzime si i dyshuar për vepra penale në fushën e abuzimeve seksuale apo dhunës në familje.”- tha Nano.

Në lidhje me rastin e vrasjes në Fier, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga deputeti i PD-së Ervin Salianji, Nano tha se Çalamani ishte verifikuar për herë të fundit 5 ditë para ngjarjes, por nuk ka pasur asnjë informacion.

“Dua të përmend dhe njëherë pavarësisht se e përmenda në fazën e parë, autori i vrasjes nuk ka qenë jashtë vëmendjes së policisë pasi është verifikuar nga shërbimet policore dhe janë të dokumentuara të gjitha rastet. Ka qenë i dënuar dhe pas daljes së tij nga burgu nuk ka pasur më informacione lidhur me këtë tendencë apo figurë krimi. Të gjitha informacionet në drejtim të aktivitetit kriminal kanë qenë për vepra penale në fushën e vjedhjes.
Është verifikuar në disa data në vitin 2021 dhe është kontrolluar dhe nuk ka pasur probleme. Në gusht është kontrolluar shtetasi Klodian Çalamani dhe nuk ka pasur probleme. Në 22 shtator është kontrolluar nga punonjësi i patrullës së policisë dhe nuk ka pasur probleme. Informacioni i fundit lidhur me aktivitetin kriminal të këtij shtetasi ka qenë më datë 11 nëntor dhe përsëri ky informacion në fushën e vjedhjes apo krimeve ndaj pronës, nuk ka pasur informacion për aktivitetin e këtij personi në drejtim të krimeve të rënda apo të dhunshme.”– deklaroi Nano.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha gjithashtu se kriminaliteti këtë vit ka pasur 60% më shumë krime nga grupet e strukturuara kriminale krahasuar me vitin 2020.