Vendosni fjalën kyçe....

Ish-kryeministri japonez: Pushtimi i Tajvanit nga Kina vetëvrasje ekonomike e saj


Ish-kryeministri japonez Shinzo Abe ka paralajmëruar Kinën se pushtimi i Tajvanit do të ishte ‘vetëvrasje ekonomike’, duke vënë në dukje se Japonia dhe SHBA-ja nuk do të qëndrojnë duke parë e duke e lënë që kjo të ndodhë.

Duke folur të mërkurën në një forum të organizuar nga Instituti për Kërkimin e Politikave Kombëtare tajvaneze, Abe tha se një pushtim i armatosur i Tajvanit do të përbënte rrezik për Tokion.

“Një emergjencë në Tajvan është një emergjencë japoneze, dhe për këtë arsye një emergjencë për aleancën Japoni-SHBA. Njerëzit në Pekin, veçanërisht Presidenti Xi Jinping, duhet ta kenë të qartë këtë gjë,” tha ai.

Ish-kryeministri shtoi se ishujt Senkaku të Japonisë, të cilat pretendohen edhe nga Kina, janë vetëm 100 km larg nga Tajvani.

Në një paralajmërim të mëtejshëm për Pekinin, Abe paralajmëroi se aventurizmi kinez mund të sjellë vdekjen e ekonomisë së Kinës.

“Një aventurë ushtarake do të ishte rruga drejt vetëvrasjes ekonomike. Ne duhet të vazhdojmë të përsërisim se lidhjet paqësore midis Kinës dhe Tajvanit janë mundësia e vetme.”

Kina u përgjigj të mërkurën, duke dënuar vërejtjet e Abe.

Pekini pretendon se Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e Kinës dhe gjithashtu ka një mosmarrëveshje të gjatë territoriale me Japoninë mbi Ishujt Senkaku.