Vendosni fjalën kyçe....

Lavrov i përgjigjet Blinkenit: Zgjerimi i NATO-së në lindje ndikon në interesat tona themelore të sigurisë


Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov i është përgjigjur Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken për nxehjen e situatës së sigurisë në Ukrainë.

Lavrov thekson se synimi i Ukrainës për tu anëtarësuar në NATO ndikon në “interesat themelore të sigurisë”.

Të gjithë po flasin për përshkallëzimin e tensioneve në Evropë, veçanërisht në kufirin midis Rusisë dhe Ukrainës. Ju e dini mirë qëndrimin tonë ndaj kësaj. Siç theksoi presidenti rus Vladimir Putin, ne nuk duam asnjë konflikt. Partnerët tanë të NATO-s deklarojnë se askush nuk ka të drejtë t’i diktojë ndonjë vendi që dëshiron të anëtarësohet në NATO nëse mund ta bëjë këtë apo jo. Ne i përgjigjemi duke cituar dispozitat e së drejtës ndërkombëtare ku thuhet se çdo shtet ka të drejtë të zgjedhë mënyrat për të garantuar interesat e tij legjitime të sigurisë. Le të mos harrojmë parimin e pandashëm të sigurisë, të shpallur vazhdimisht në OSBE dhe në Këshillin Rusi-NATO – askush nuk duhet të forcojë sigurinë e tij në kurriz të të tjerëve. Zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s drejt lindjes padyshim do të ndikojë në interesat tona themelore të sigurisë”-tha Lavrov.

Lavrov e bëri këtë deklaratë gjatë ministerialit të OSBE-së ku përmendi përplasjen me SHBA-të për Ukrainën se NATO nuk duhet të forcojë sigurinë e tij në kurriz të të tjerëve.