Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj iu është përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me pastrimin e parave përmes industrisë së ndërtimit, apo për ekonominë shqiptare.
Ibrahimaj theksoi se gjatë vitit të fundit ka patur një rritje ekonomike dhe u bëri thirrje përfaqësuesve të opozitës që kur të flasin, t’u referohen shifrave dhe jo perceptimeve të tyre.
Madje sipas saj, tha që nuk është e vërtetë që industria e ndërtimit është rritur për shkak të parave të pista.
“Unë dua të rikthesoj se kur flasim për fakte dhe për aktualitet dhe ambientin në të cilin jetojmë, duhet ti referohemi fakteve dhe jo thjesht aludimeve.
Përsa i përket gjendjes së ekonomisë, unë dua të theksoj që në tremujorin e dytë të këtij viti, u rrit dhe u rrit në të gjitha degët e saj.
Industria u rrit me rreth 40%, ndërtimi u rrit me 41%, tregtia u rrit me rreth 31%. Pra sektorët kryesorë që ndikojnë në rritjen ekonomike të vendit u rritën në të njëjtin nivel, afërsisht me ndërtimin. Është e pavërtetë që rritja ekonomike është e bazuar në ndërtim dhe është e pavërtetë që ndërtimi është rritur me para të pista. Janë institucione dhe institucione, të cilat punojnë për të gjurmuar këtë dukuri, për ta luftuar atë, dhe është angazhimi jonë që kjo dukuri të shkojë drejt reduktimit.
Përsa i përket çështjes së jetesës dhe mbijetesës, të emigrantëve dhe të emigracionit, të azilkërkuesve dhe jo azilkërkuesve unë dua që t’ju sugjeroj që t’i referoheni shifrave zyrtare ku niveli i emigracionit ka qenë dyfish më i lartë në periudhën që ju keni qeverisur.
Pra ju lutem t’i referohemi shifrave dhe jo perceptimeve se Shqiptarët po largohen se janë të pakënaqur. Rritja e numrit të vendeve të punës në gjithë këto vite të qeverisjes tregon që ekonomia shqiptare po ecën dhe ekonomia familjare po ecën.
Rritja e numrit te bizneseve që operojnë në vend dhe rritja e të ardhurave të mbledhura prej tyre tregon që bizneset po ecin në drejtimin e duhur. Dua t’ju rikujtoj se edhe gjatë vitit të tmerrshëm të 2020-ës, kur ne pësuam gjithë atë dëm nga pandemia dhe mbyllja, bizneset vijuan të jenë të hapura dhe numri i të punësuarve u rikuperua në fund të këtij viti dhe dua t’ju ritheksoj se falë mbështetjes dhe politikave të qeverisë, numri i bizneseve të vogla u rrit gjatë këtij viti. Pasi ne bëjmë ligje aty ku ka nevojë”– tha Ibrahimaj.