Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se duke nisur nga viti 2022 nuk do të ketë më sportele për të marrë shërbime, por të gjitha do të jenë online.
“Nuk do kemi më sportele dhe në vitin 2022 në Shqipëri të mbyllen sportelet, se nëse i lëmë sportele nga një anë dhe sistemi nga ana tjetër, incercia do vijojë, të gjitha shërbimet në telefon ose në kompjuter dhe ato që rrinë në spotele për të kapur lekë nëpër xhepat e njerëzve s’do kenë mundësi që të shohin më, do jenë në zyra duke marrë nga kompjuteri kërkesat.”- tha Rama.
Ai dha një shembull se si kjo do të funksionojë sipas tij.
“Për shembull, do marr patentën dhe më duhet 7 dokumente, këta të drejtorisë së patentave, nuk do më shohin më me sy, por do i marrin ata për mua, qytetarët do të jenë përballë, nuk do kenë qytetarë që bëjnë sikur u dhemb koka, nuk do bëjnë sikur i ka vdekur vjehrra për herën e 29 herë, që kuptohet se duhet t’i japësh më lekë, dhe nuk do i bien në qafë vjehrrës duke i thënë qytetarit se nuk do të ta bëjë këtë punë.”- shtoi ai.
Më pas nuk i kurseu edhe disa batuta lidhur me patentën, duke u shprehur se ai vetë s’do ta marrë kurrë: “Nuk kam për të marrë patentën se nuk jam i zoti që të ngasë makinë, plus kam dhe këmbët shumë të gjata.”