Qeveria shqiptare ndau nga buxheti në 10 mujorin 2021 rreth 33 miliardë lekë (267 mln euro) për të shlyer interesat e borxhit publik.
Kjo shumë ishte më e larta që nga viti 2013, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave të azhurnuara në treguesit mujor fiskal.
Rritja e shpenzimeve erdhi nga shtimi i stokut të borxhit publik, pasi normat e interesit vazhdojnë të jenë favorizuese. Shpenzimet për shlyerjen e interesave të borxhit u rriten me 12 për qind në 10 mujorin 2021 në raport me të njëjtën periudhe të vitit 2020.
Shpenzimet për interesa të borxhit shtetëror ndaj të ardhurave tatimore dhe PBB, gjatë viteve të fundit kanë ndjekur një trajektore rënëse, duke përjashtuar vitet 2018, 2020 dhe 2021. Gjatë vitit 2018, është shënuar rritje e shpenzimeve për interesa e cila është ndikuar kryesisht nga rritja e stokut të borxhit në vlerë absolute dhe efekti i parablerjes së Eurobond-it që u maturua në vitin 2020.
Gjatë vitit 2020, shpenzimet e interesave në vlerë nominale parashikohen u rriten me rreth 1 miliard Lekë krahasuar me fundin e vitit 2019, ndërkohë rritja e raportit interesa ndaj të ardhurave tatimore ka ardhur kryesisht nga ulja e të ardhurave gjatë vitit 2020 si rezultat i situatës së krijuar nga përhapja e pandemisë Covid -19.
Rritja e shpenzimeve për interesa mbeti e lartë edhe për vitin 2021 dhe presionet do të rriten me emetimin e një Eurobondi të ri këto ditë. Këtë vit shpenzimet për interesat pritet të jenë rreth 5 miliardë lekë më të lartë se në vitin 2020.
Mbi 70% e portofolit të borxhit shtetëror përbëhet nga instrumente me norma interesi fikse. Gjatë viteve të fundit ka pasur një tendencë në drejtim të uljes së përqendrimit të instrumenteve me norma interesi të ndryshueshme në portofolin e borxhit të brendshëm.
Por rreziku i normave të interesit është në dorën e qeverisë, pasi ato vendosen nga tregjet. Ekspertët këshillojnë se është një risk i cili duhet menaxhuar në vijimësi duke pasur parasysh nivelin ende të lartë të borxhit afatshkurtër. Në këtë aspekt, përveç masave për reduktimin e peshës së titujve afatshkurtër, do të synohet dhe mbajtja nën kontroll e peshës së titujve me norma interesi të ndryshueshme, në linjë me hapësirat e tregut dhe preferencat e investitorëve.
Nisur nga niveli i borxhit, si edhe niveli i ekspozimit të riskut, norma e interesit në tregun vendas dhe atë të huaj vlerësohet të jetë një faktor me ndikim të lartë në anën e shpenzimeve të buxhetit të shtetit.
Nga analiza e ndjeshmërisë rezulton se: një rritje e njëkohshme e normave të interesit në tregun vendas dhe atë të huaj me 1 pp11 mbi normat e pritshme duke filluar nga viti 2021, mund të rrisë shpenzimet për interesa deri në rreth 14 miliardë lekë në vitin 2023, ndërsa një rritje prej 2 pp do t’i rriste këto shpenzime deri në rreth 18 miliardë lekë kundrejt skenarit bazë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor