Prokuroria e Lezhës ka vendosur që të mos fillojë hetimin ndaj Kryebashkiakut Pjerin Ndreu pasi u kallëzua nga dy efektivë policie të këtij qarku për pengim të ushtrimit të detyrës.
Pas veprimeve të kryera, organi i akuzës ka dalë në konkluzionin se ngjarjen e ndodhur nuk ka elementë të veprës penale dhe vendosi mosfillimin e procedimit për Ndreun dhe biznesmenin Vladimir Gjoka.
Këta të fundit u kallëzuan penalisht në prokurori, pasi po festonin në orët e vona të 24 qershorit në një lokal në Shëngjin me muzikë të lartë.
Sipas deklarimeve të punonjësve të policisë në Prokurorinë e Lezhës, pronari i lokalit, Vladimir Gjokaj i është përgjigjur me ofendime kërkesës së tyre për të fikur muzikën, ndërsa kryebashkiaku Ndreu i ka penguar me forcë që të shoqëronin Gjokajn në polici.