Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj firmos marrëveshjen me Bankën Europiane të Investimeve: Në 2024-ën Tirana do të ketë 24 orë ujë


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka firmosur sot një marrëveshje bashkëpunimi me Presidenten e Bankës Europiane të Investimeve, së bashku me zëvendës-kryeministrin Arben Ahmetaj, për furnizimin e Tiranës me 24 orë ujë.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se kjo ishte kredia më e madhe në historinë e ujësjellësit të Tiranës.

Veliaj u shpreh se rreth 6 vjet më parë Tirana ishte me 6 orë ujë në ditë, ndërsa tani është me 17-18 orë ujë në ditë. Madje disa zona sipas tij kanë furnizim me ujë 24 orë.

“Jemi dita me natën me atë që gjetëm: rrjeti i ujësjellësit i ngjante një kulluese marakonash, ku uji vidhej rregullisht, makinat laheshin me ujë të pijshëm, po ashtu edhe misri ujitej me ujë të pijshëm. Fillimisht u desh të rikuperonim humbjet, të kishim një ndërmarrje më efiçiente, që të mos ishte më një parking militantësh, por një ndërmarrje me misionin për të shërbyer.

Tani mund të them me krenari se ndërmarrja ka jo vetëm performancën më të mirë në Shqipëri, por sot është një ndërmarrje që ka arritur t’i paguajë vetë kreditë e marra, që ka financa më të shëndosha. Megjithatë, jemi ende larg ambicies sonë për Tiranën 24 orë ujë, por ky është plani ynë për vitin 2024.

Sot firmosim kredinë më të madhe në historinë e ujësjellësit të Tiranës, si një mënyrë për ta çuar në marshin e pestë kalendarin tonë të investimeve.

Në 2-3 vitet e ardhshme ne parashikojmë të hapim një kantier që të shtrojmë 45km tubacione në Tiranë, si dhe të sigurojmë një unazë presioni, e cila na jep mundësinë të furnizojmë të gjitha njësitë me të njëjtën sasi uji, edhe në lagjet më fundore të Tiranës, sidomos lagjet e reja dhe zonat e veçanta si ‘Astiri’, ‘Fresku’ dhe ‘Liqeni i Thatë’.”- deklaroi Veliaj.