Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për Zgjedhjet e 30 qershorit 2019, të marrë më 4 nëntor kur hodhi poshtë kërkesën e shoqatës së Bashkive të Shqipërisë duke cerfifikuar kështu zgjedhjet lokale pa pjesëmarrjen e opozitës.
Në arsyetimin e Gjykata Kushtetuese thuhet se ccështja nuk bën pjesë në juridiksionin kushtetues, ndërsa shtohet se kërkuesja, Voltana Ademi, nuk kishte të drejta të vinte në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.
“Gjykata vlerëson se në lidhje me kërkimin e parë të kërkesës në shqyrtim çështja nuk bën pjesë në juridiksionin kushtetues, kurse në lidhje me kërkimin e dytë kërkuesja nuk legjitimohet për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues.”– thuhet në vendimin e Gjykatës.
Përfundimet e Gjykatës Kushtetuese:
PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronjat “d” dhe “e”, dhe 134, pikat 1, shkronja “h” e pika 2, të Kushtetutës, si dhe neneve 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri,
V E N D O S I:
Rrëzimin e kërkesës.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Marrë më 04.11.2021
Shpallur më 02.12.2021
MENDIM PARALEL
Për arsye se ndaj të njëjtin qëndrim me shumicën lidhur me zgjidhjen e çështjes për kërkimin e parë por kam qasje të ndryshme mbi arsyetimin e saj, unë argumentoj sa vijon.
Kërkuesja ka pretenduar se zhvillimi i procesit zgjedhor në datën 30.06.2019 ka cenuar parimin e shtetit të së drejtës, për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve në kundërshtim me dekretin e dytë të Presidentit, i cili ka caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve dhe, rrjedhimisht, përbën bazën urdhëruese për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të filluar përgatitjet, si dhe shënon edhe lindjen e të drejtave dhe detyrimeve të tjera për subjektet politike dhe zgjedhësit, duke përfshirë edhe kompetencën materiale të Kolegjit Zgjedhor. Po kështu, kërkuesja ka parashtruar se çështja objekt shqyrtimi i takon juridiksionit të kësaj Gjykate, pasi ajo lidhet me respektimin e parimeve dhe të të drejtave kushtetuese që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, zgjedhjen e një sistemi qeverisjeje, bazuar në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike, dinjitetin e njeriut, rendin kushtetues, parimin e ndarjes së pushteteve, kufizimin e të drejtave në mënyrë jo proporcionale, diskriminimin e disa zgjedhësve ndaj të tjerëve, funksionimin e partive politike në përputhje me parimet demokratike, si dhe të drejtën për të zgjedhur e për t`u zgjedhur dhe në këtë drejtim, çështja e procesit zgjedhor përbën vetëm një nga pretendimet dhe kërkimet e parashtruara. Sipas kërkueses, parashikimi i nenit 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës nënkupton nevojën e vlerësimit të mënyrës së zgjedhjes, për sa u përket kritereve që lidhen me ligjin material dhe procedural, si dhe parimeve dhe të drejtave kushtetuese drejtpërdrejt të zbatueshme.
Shumica ka analizuar kërkimin e parë në këndvështrim të nenit 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës, sipas të cilit ajo vendos për çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit, të deputetëve dhe funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre, dhe kërkimin e dytë të lidhur me nenin 131, pika 1, shkronja “d” të saj, sipas të cilit ajo vendos për kushtetutshmërinë e partive dhe organizatave të tjera politike, si dhe veprimtarinë e tyre, në kuptim të nenit 9 të Kushtetutës (shih paragrafin nr. 31 të vendimit).
Ndaj të njëjtin qëndrim me shumicën se, nisur nga sa u konstatua nga rrethanat e kësaj çështjeje dhe pretendimet e palëve, Gjykata Kushtetuese vëren se përgjatë procesit zgjedhor për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të zhvilluar në qershor të vitit 2019, ka pasur mosmarrëveshje midis subjekteve që kanë kompetenca në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve dhe zhvillimin e këtij procesi, të cilat kanë interpretuar në mënyra të ndryshme parashikimet kushtetuese ku janë mbështetur për ushtrimin e kompetencave të tyre, gjë që, siç ka evidentuar misioni vëzhgues i ODHIR-it, “krijoi një klimë ngërçi dhe polarizimi politik dhe votuesit nuk patën një mundësi kuptimplotë për të zgjedhur mes disa opsioneve politike” (shih faqen 1 të Raportit). Gjithsesi, asnjë prej subjekteve që legjitimohet të vërë në lëvizje këtë Gjykatë, nuk i është drejtuar me kërkesë për zgjidhjen e konflikteve me natyrë kushtetuese që bëjnë pjesë në juridiksionin e saj (shih paragrafin nr. 62 të vendimit).
Në përfundim, shumica ka vlerësuar se kërkimi për konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në datën 30.06.2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë dhe, si rrjedhojë, konstatimi antikushtetues i zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve nuk bën pjesë në juridiksionin kushtetues (shih paragrafin nr. 73 të vendimit).
Në mendimin tim ky përfundim i vlerësimit të shumicës nuk reflekton të gjitha mënyrat e mundshme të interpretimit kushtetues të dispozitave dhe parashikimeve kushtetuese, që përcaktojnë dhe përkufizojnë juridiksionin dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, mendoj se në këtë rast, Gjykata Kushtetuese nuk duhet të kishte shqyrtuar pretendimin e kërkueses nën dritën e interpretimit të ngushtë të nenit 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksionit të të zgjedhurve vendorë (shih paragrafin nr. 37 të vendimit).
Në argumentimin e qëndrimit tim, vlerësoj të evidentoj disa momente kyçe që shenjuan shfaqjen e një mosmarrëveshjeje që, në thelb, kulmoi me një krizë dhe ngërç të konsiderueshëm kushtetues, e detajuar më konkretisht: (1) dorëzimi në bllok i mandateve nga ana e partive opozitare; (2) braktisja e parlamentit nga ana e forcave politike opozitare; (3) në rrjedhojë të këtyre veprimeve, vendet e braktisura në Parlament u plotësuan me deputetë nga pjesa e mbetur e listave, duke e reduktuar ndjeshëm në këtë mënyrë numrin e ligjvënësve, të përcaktuar në nenin 64 të Kushtetutës nga 140 deputetë në numrin përfundimtar prej 122 deputetë; (4) zhvillimi i protestave të njëpasnjëshme që shpesh herë sollën edhe përshkallëzim të situatës me shfaqje dhune; (5) mohimi i komisionerëve për zgjedhjet e qershorit 2019, që duhet të caktoheshin nga partitë opozitare; (6) KQZ-ja pas një mohimi të tillë mbeti një organ i përbërë me përfaqësues vetëm nga njëra forcë politike; (7) menjëherë pas këtij fakti opozita deklaroi se nuk do të merrte pjesë në zgjedhjet e qershorit 2019; (8) pas dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 të Presidentit të Republikës, partitë kryesore të opozitës nuk u regjistruan në zgjedhje; (9) si pasojë e situatës së protestave të dhunshme, Presidenti i Republikës, pas sinjalizimeve (nga agjencitë ligjzbatuese) për dhunë ekstreme që do vinin në rrezik sigurinë kombëtarë të vendit, me dekretin nr. 11199, datë 10.06.2019 e shfuqizoi dekretin e parë; (10) Presidenti i Republikës pas disa tentativave për konsultime të përbashkëta me forcat politike, të cilat nuk arritën të krijonin amalgamën pozitive të duhur, me dekretin nr. 11211, datë 27.06.2019, caktoi datën 13 tetor 2019, si datë zyrtare për zhvillimin e zgjedhjeve lokale; (11) ky dekret i Presidentit të Republikës nuk u botua kurrë në Fletoren Zyrtare dhe as nuk u ankimua nga asnjë prej subjekteve zgjedhore përpara asnjë organi gjyqësor; (12) pas këtij dekreti të Presidentit të Republikës, vetëm disa parti opozitare u regjistruan në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, kurse disa të tjera nuk u regjistruan; (13) KQZ-ja bëri objekt shqyrtimi në kërkesën për çregjistrim të një partie politike (Partia Uniteti Kombëtar), edhe dekretin nr. 11199, datë 10.06.2019 të Presidentit të Republikës, kur ndërkohë ky akt nuk ishte objekt kërkimi e, për më tepër, që Presidenti i Republikës nuk ishte palë në këtë gjykim; (14) Kolegji Zgjedhor e thelloi më tej krizën e krijuar duke gjykuar dhe më pas duke vendosur mbi një objekt që nuk ishte kërkim në gjykim, siç ishte dekreti i Presidentit të Republikës.
Për sa më sipër parashtruar, parë në këndvështrim të një fragmentarizimi të tejskajshëm të një krize kushtetuese të lidhur ngushtë me një mosfunksionim institucional disa kahësh, të gjitha sa u thanë, në thelb, përbëjnë atë që në mendimin tim kulmon mosmarrëveshjen kushtetuese, procesi zgjedhor i qershorit 2019, i cili u zhvillua në një klimë tejet të acaruar politike e shoqërore. Kështu, në disa bashki, në më shumë se gjysmat, konkretisht në 31 të tilla, mori pjesë vetëm 1 kandidat, duke mos u ofruar mundësi qytetarëve të zgjidhnin alternativën e dëshiruar, dhe në këtë mënyrë, u evidentuan edhe preferencat politike të qytetarëve, çka përbën mohim të së drejtës së votës dhe cenim të së drejtës kushtetuese për votë të barabartë, të lirë dhe të fshehtë, të garantuar nga neni 45 i Kushtetutës.
Në vijim, vlerësoj se thelbi i kërkimit të kërkueses lidhej me respektimin e parimeve dhe të drejtave kushtetuese, si: e drejta për t`u zgjedhur, parimet themelore të shtetit të së drejtës, zgjedhja e një sistemi qeverisjeje bazuar në zgjedhje të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike, ndarja e pushteteve, kufizimi i të drejtave në mënyrë joproporcionale, diskriminimi, juridiksioni për shqyrtimin e të cilave i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese.
Neni 124 i Kushtetutës përcakton kompetencën e Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kushtetuese dhe interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, sa herë që ajo vihet në lëvizje, sipas nenit 131 të Kushtetutës dhe nga subjektet e legjitimuara sipas nenit 134 të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj ka theksuar se çdo normë e Kushtetutës duhet të interpretohet në mënyrë që të jetë e pajtueshme me parimet themelore kushtetuese. Çdo dispozitë kushtetuese është në një lidhje të caktuar me dispozitat e tjera dhe, së bashku, ato formojnë një entitet. Për pasojë, asnjë dispozitë e Kushtetutës nuk mund të nxirret jashtë kontekstit të saj dhe të interpretohet më vete (shih vendimet nr. 29, datë 30.06.2011; nr. 29, datë 21.10.2009; nr. 2, datë 19.01.2005të Gjykatës Kushtetuese).
Duke iu kthyer rastit në shqyrtim, në lidhje me objektin e këtij kërkimi dhe sidomos në këndvështrimin tim të një çështjeje të tillë që lidhet ngushtë me një mosmarrëveshje kushtetuese, çka e bënte të domosdoshme investimin e juridiksionit kushtetues për zgjidhjen e saj, kam ndarë të njëjtin qëndrim me shumicën se kërkuesja nuk legjitimohet për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues (shih paragrafin nr. 73 të vendimit).
Dispozitat kushtetuese dhe ligjore, mbi bazën e të cilave ushtron veprimtarinë Gjykata Kushtetuese, përcaktojnë në mënyrë të qartë dhe shteruese se cilat subjekte mund të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues. Për të gjitha sa u argumentua në këtë mendim, duke marrë në konsideratë edhe natyrën e mosmarrëveshjes objekt gjykimi, e cila, në vlerësimin tim, në thelb është mosmarrëveshje kushtetuese ndërmjet institucioneve shtetërore, shqyrtimi i saj do të bëhej nëse kërkesa do të paraqitej përpara Gjykatës Kushtetuese nga subjektet që legjitimohen për një kërkim të tillë.
Në përfundim, vlerësoj se në këtë çështje duhej të arrihej në konkluzionin se Gjykata Kushtetuese, sipas Kushtetutës, gëzon juridiksion kushtetues të plotë që të shqyrtojë mosmarrëveshjen objekt gjykimi, por për shkak se kërkesa nuk është paraqitur nga një prej subjekteve që legjitimohen për ta vënë në lëvizje atë, sidomos subjektet e përcaktuara nga vetë Kushtetuta si të tilla që të mund të kërkojnë gjykimin e një mosmarrëveshjeje kushtetuese lidhur me përcaktimet e nenit 124 të Kushtetutës, kërkesa rrëzohet vetëm për këtë shkak. Ky qëndrim është tërësisht në të njëjtën linjë dhe mban në konsideratë edhe gjetjet e Komisionit Evropian në dy raportet për Shqipërinë 2019 dhe 2020, të publikuara përkatësisht në datën 29.05.2019 dhe në datën 06.10.2020, ku, ndër të tjera, janë theksuar problematikat si pasojë e polarizimit intensiv politik për shkak të situatës së zgjedhjeve. Në raportin për Shqipërinë 2020 thuhet: “Më 30 qershor 2019, Shqipëria mbajti zgjedhjet lokale në një mjedis politik shumë të polarizuar. Pas heqjes dorë në bllok të mandateve parlamentare në shkurt të vitit 2019 dhe pas muajve të protestave në rrugë, opozita vendosi t’i bojkotojë zgjedhjet. Më 8 qershor, për arsye të kërcënimeve ndaj sigurisë, Presidenti dekretoi anulimin e dekretit të tij të mëparshëm që përcaktonte datën e zgjedhjeve dhe shpalli datën 13 tetor si datën e re të zgjedhjeve. Dekreti i Presidentit u shpërfill nga shumica në pushtet dhe nga organet e administratës zgjedhore.” . Në deklaratën e gjetjeve dhe përfundimeve paraprake për zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019, Misioni i ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, ndër të tjera, është shprehur: “Zgjedhjet vendore të 30 qershorit u mbajtën pa e marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit. Opozita vendosi të mos marrë pjesë, kurse qeveria u tregua e vendosur për t’i mbajtur zgjedhjet pa opozitën. Në një klimë ngërçi dhe polarizimi politik, votuesit nuk e patën mundësinë të zgjidhnin mes disa opsioneve politike.” .
Ndaj në përfundim, mendimi im paralel është se kjo çështje e lidhur me kërkimin e parë të saj do të ishte mundur të gjykohej në mënyrë shteruese nga Gjykata Kushtetuese, nëse do të ishte kërkuar kontrolli kushtetues nga një prej subjekteve që vetë Kushtetuta përcakton si subjekt që legjitimohet si i tillë për kërkimet që lidhen me mosmarrëveshje kushtetuese, sipas përcaktimit të nenit 124 të saj.