Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa e “prek në tela”, ministri i Drejtësisë nuk duron: “Kur të më drejtosh gishtin interesohu para se kush është Ulsi Manja!” (DEBATI)


Është shoqëruar me debate sot seanca plenare në Kuvend, pas kategorizimit që deputetja Zhupa i bëri socialistëve: në patronazhistë, pasionarë dhe pastërtorë.

Pas vërejtjes që i bëri zv.kryetarja e Parlamentit Ermonela Felaj dhe komenteve të ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja.

Ky i fundit tha se nuk e dinte se në cilën kategori Zhupa e fuste, por i tha asaj të zgjohej nga gjumi pasi qytetarët e kishin bërë zgjedhjen e tyre më 25 Prill.

Zhupa mori fjalën për të sqaruar deklaratën e saj ndërsa i kujtoi Manjës përgjimet e gazetës Bild për dosjen 184, që dëshmonin vjedhjen e votave në zgjedhjet vendore në Dibër. Manja u komentua shumë për batutën e tij në këto përgjime: “Ne themi të shkosh për më nalt o burrë…”

Por kjo gjë e zemëroi shumë ministrin Manja, duke i thënë Zhupës se herë tjetër të mendohet mirë dhe të pyesë se kush është ai para se t’ja përmendë emrin. Manja tha që ndryshe nga kryedemokrati Lulzim Basha, ai nuk heziton të shkojë përpara drejtësisë në vend apo edhe jashtë Shqipërisë.

DEBATI:

Ulsi Manja: “Nuk e di se sipas ndarjes që bëri kolegia paraardhëse e opozitës, se tek cili grup jam, tek Pasionari apo Pasionare Llapa, nuk e di, por zonjë e nderuar zgjohu nga gjumi sepse më 25 Prill 2021 qytetarët e kanë ndarë se kush do të merret me punë dhe me përgjegjësi para qytetarëve dhe kush do të llapë.

Dhe nëse e keni ndarë pastaj se kush do të llapë në Foltoren e Kuvendit dhe kush do të llapë tek Foltorja tjetër, kjo është punë e juaj. Këtë nuk jau zgjidhim dot.”

(Manja vijon më tej me fjalimin e tij. Ina Zhupa kërkon fjalën)

Ina Zhupa: “Tani që ta sqarojmë se keni edhe kryeministrin artist dhe mendova që duke patur kryeministrin artist mund të keni edhe ju një qasje artistike. Pasionare Llapaj ka qenë personazh I Portokallisë i interpretuar nga Marjana Kondi. Ju ftoj ta shikoni, e keni edhe në Youtube. Është shumë e ngjashme, mund t’ju duket vetja sikur po dëgjoni fjalimet e disa prej kolegëve këtu por nuk është faji i personazhit. Gjejeni fajin diku tjetër.

Zoti Manja ka shumë të drejtë që thotë për standardet e BE-së, por unë jau citova që ne jemi duke arritur standardet e Bashkimit afrikan. Pra jemi më nalt, më nalt siç do thoshte zoti Manja në disa përgjime telefonike, përsa i përket Vettingut politik është shumë e vërtetë, ne e kërkojmë dhe jemi të bindur, e kërkojmë nga vetja jonë të parët që në ato karrige atje janë të ulur ata njerëz që merren të parët me pastrimin e parave, të cilët janë të lidhur mebotën e krimit dhe  këtë ju mund ta demostroni që nuk keni frikë duke e votuar dhe duke e pranuar paketën tonë për Vettingun në Politikë. Tregojeni këtu dhe hajdeni pastaj dhe diskutojmë për gjithë masat e tjera”.

Ulsi Manja: “Në fakt s’kam replikë përsa thotë kolegia e opozitës por meqë përmendi këtë punën e përgjimeve, e kam thënë disa herë në këtë sallë por ti je deputete rishtare dhe nuk besoj se e ke patur rastin ta dëgjosh deklaratën time. Ndryshe nga kryetari juaj, ky që keni tani i radhës, që heziton të shkojë përpara komiteteve të drejtësisë dhe të japë përgjigje për shumë gjëra, unë kam qenë dhe jam i gatshëm të paraqitem para çdo autoriteti të drejtësisë time në vend por edhe jashtë Shqipërisë, sepse raporti im me të vërtetën dhe me ligjin lidhet me formimin tim zonjë. Kështu që ti mund t’i përmendësh sa herë të duash ato. Ti dhe shumë të tjerë këtu që fshihen pas gishtit. Por Ulsi Manja si deputet, si prokuror dhe si ministër Drejtësia as ka firmosur dhe as ka për të firmosur kurrë nxjerrje bandidësh nga burgjet e sigurisë së lartë në funksion të proceseve elektorale si në 2009 për të bërë rrush e kumbulla votën e lirë dhe demokracinë në këtë vend dhe as ka për të dhënë licensa noterësh prapa të cilës fshihen interesa okulte dhe janë sot turpi i noterisë në Shqipëri. Kështu që kur të më drejtosh gishtin herë të tjera interesohu pak se kush është Ulsi Manja.”

Ermonela Felaj: “Ju lutem kolegë, ndërhyrja ishte për të respektuar Kodin e Sjelljes dhe të Etikës. Dhe të respektosh Kodin e Sjelljes dhe të Etikës nuk është diskrecionale se e kemi miratuar në këtë Kuvend. Është detyruese. Ajo çka unë iu drejtova zonjës Zhupa në lidhje me fjalën që përmendi, shpresoj që ta kuptojë dhe ta kuptojë drejt se sjellje dhe fjalë të pahijshme nuk mund të përdoren në Kuvendin e Shqipërisë, pavarësisht se diku tjetër ato janë krejt të natyrshme dhe mund të përcillen me lehtësi, por jo në Kuvendin e Shqipërisë. E para. Dhe e dyta, Zonjë nëse ju mendoni që roli i deputetit duhet të degradojë në sjelljen e personazheve të spektakleve të humorit bëjeni. Për ne nuk ka asnjë problem Dakord. Nëse ju mendoni që roli juaj si deputete është ky, bëjeni. Nuk ka problem për askënd. Thjesht tërheqja e vëmendjes ishte sa miqësore, aq edhe në respekt të Kdoit të Etikës për të cilin ata që moderojnë seancat janë të detyruar tua kujtojnë të gjithë koelgëve.”