Ish-kryeministri Berisha ka thënë nga Devolli se në Kuvendin e 11 dhjetorit do shënohet rithemelimi i PD-së dhe rikthimi i pluralizmit.
Ai tha se nën Edi Ramën vendi është kthyer në protektorat të krimit e drogës si dhe në delen e zezë të Ballkanit e Europës, ku ligji bëhet nga krimi e droga.
Berisha theksoi se kreu i PD-së, e ka përqendruat të gjithë vëmendjen te ruajtja e karriges së tij prej 8 vitesh duke zhgënjyer demokratët e mbarë qytetarët.
“Shkojmë të sigurt drejt 11 dhjetorit të firmosim së bashku monumentin madhështor të rithemelimit të PD-së e pluralizmit. Të shndërrimit të partisë në partinë e vlerave, traditave të shkëlyera shqiptare, të interesit kombëtar, nismës së lirë. Vendi pas zgjedhjeve të 25 prillit humbi çdo perspektivë, duke i mbetur vetëm rrokullisja në honet e historisë. Rama kaloi në 8 vite nga një rekord i zi në rekorde edhe më të zeza. E kthen vendin në delen e zezë të Ballkanit e Europës, ku ligjin e bën krimi e droga. Çfarë ka ndodhur me PD-në këto 8 vite. Peng Basha u fut në çadër për të mbrojtur votën e përfundoi në qeveri me Edi Ramën.” – tha Berisha.