Vendosni fjalën kyçe....

Mashtrime me subvencionet, policia e Kosovës arreston 31 persona në 8 komuna


Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës ka arrestuar 31 persona të dyshuar për mashtrime me subvencionet.

Aksioni i Policisë së Kosovës është zhvilluar në tetë komuna të vendit, Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri dhe Podujevë, raporton Gazeta Express.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, përkatësisht Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike, kanë realizuar një aksion i cili është vazhdim i aksioneve të mëhershme për  rastin Subvencioni 2021,  në disa lokacione të ndryshme të Kosovës. Ndërkaq, aksioni është zhvilluar në komunat: Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri, Podujevë”, thuhet në njoftim.

Nga 31 të arrestuarit, 19 prej tyre janë qytetarë, të cilët janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve, ndërkaq 12 zyrtarë nëpër komuna.

“Prokuroria Speciale njofton se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë tridhjetenjë (31) persona, prej tyre dymbëdhjetë (12) zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK. Ndërkaq, aksioni është zhvilluar në komunat: Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri, Podujevë. Përderisa, nëntëmbëdhjetë (19) persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve. Përfituesit e subvencioneve janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me subvencione”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit për personat të cilët janë ndaluar nga aksioni i sotëm.

“Personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënie e ryshfetit”, “Mashtrim me Subvencione’’, si dhe “Falsifikim i dokumenteve”. Gjithashtu, gjatë afateve kohore ligjore Prokuroria Speciale do të bëjë kërkesë për caktim e masës së paraburgimit të personave të cilët janë ndaluar nga aksioni i sotshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.