Vendosni fjalën kyçe....

Dita e Themelimit të Forcave të Armatosura, Meta: Mirënjohje për çdo burrë dhe grua në uniformë


Presidenti Ilir Meta ka përcjellë sot një mesazh për Forcat e Armatosura. Si komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Meta ka shprehur mirënjohjen për çdo burrë dhe grua në uniformë, që në këto 109 vite ka shërbyer me devotshmëri dhe sakrificë sublime në mbrojtje të Atdheut.

Ai i inkurajon burrat dhe gratë në detyrë për të vazhduar me përgjegjshmëri në drejtim të modernizimit.

“Me shprehjen e respektit më të lartë, falenderimit dhe mirënjohjes së thellë, për çdo burrë dhe grua në uniformë, që në këto 109 vite ka shërbyer me devotshmëri dhe sakrificë sublime në mbrojtje të Atdheut, Pavarësisë, Sovranitetit dhe Sigurisë Kombëtare, garantimit të lirisë, paqes e stabilitetit, në rajon dhe botë, nën Flamurin Kombëtar, u përcjell Forcave tona të Armatosura urimet më të përzemërta në Ditën e Themelimit.

I inkurajoj për të vazhduar me përgjegjshmëri në drejtim të modernizimit, rritjes së aftësive trajnuese dhe kapaciteteve operacionale, për të qenë gjithmonë të gatshëm në përgjigje të misionit, situatave dhe sfidave që parashtron koha, si dhe detyrave, që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe angazhimet në kuadër të NATO-s.

Përshëndetje vëllazërore për familjet e ushtarakëve, burim i përhershëm frymëzimi dhe edukimi me ndjenjat më të larta patriotike!

Lavdi Dëshmorëve të rënë për Atdhe dhe Flamur!”– shkruan presidenti Meta, ndërsa disa foto të FA-ve ndër vite.