Vendosni fjalën kyçe....

Duma thotë se duhet tranzicion në PD: Ka ardhur koha për një brez tjetër, e reja është lokomotiva e çdo partie


Nënkryetarja e PD-së ka theksuar mbrëmjen e sotme se selia blu duhet të shohë nga e ardhmja dhe se fryma ndërtohet nga një brez i ri që sjell besim.

Gjatë bashkëbisedimit në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24, Duma, tha se dualizmi e ka dëmtuar rëndë fizionominë e partisë, gjë që është vërejtur edhe në listat për deputet në zgjedhjet e fundit. Sipas saj, ka ardhur koha për një tjetër brez në PD.

“Dualizmi e ka dëmtuar rëndë fizionominë e PD-së. Ajo doli sërish në zgjedhje mes një listë që tregonte se ishin njerëz të të shkuarës dhe të ardhmes, të ekuilibruar. PD nuk duhet të ketë frikë dhe të bëjë opozitë duke u nisur nga numrat dhe pastaj nga fryma, por nga fryma dhe pastaj nga numrat. Fryma krijohet nga një brez i ri që sjell besim. Është detyrë perëndimore dhe qytetare të pranosh që e reja është hapi dhe lokomotiva e çdo force. Opozita duhet të bëjë çdo strategji me njerëzit që janë e ardhmja e politikanëve. Ne e kemi ditur që shoqëria shqiptare kërkonte frymën e re. Ka ardhur momenti për një tranzicion brenda PD-së. Koha ka ardhur për një brez tjetër.” – tha ajo.

Më tej Duma e quajti organizimin e 11 dhjetorit nga ana e Berishës një pengmarrje të PD-së dhe se ajo që do dalë nga aty duhet të japë përgjigje se çfarë qëndrimi do mbajë lidhur me vendimin e SHBA-së për shpalljen non grata të ish-kryeministrit.

“11 dhjetori është një akumulim foltoresh, do të prodhojë një pengmarrje. E shkuara nuk është e ardhmja në asnjë ditë të jetës politike. Ajo gjuhë e foltores, ajo politikë e brohoritjes së liderit pa asnjë kritikë, ka një problem të madh kur t’i i drejtohesh të njëjtit njeri pas kaq vitesh kur ai nuk ka mbajtur premtimet.  Ne po punojmë për Kuvendin e datës 18, delegatët kanë firmosur me shumicë. Ajo që nuk kuptohet qartë është çështja që me datë 11 do të mblidhen disa njerëz ë duan të shkarkojnë Bashën. Në këtë skenar do të vijë dikush tjetër, Ky person apo Berisha vetë çfarë qëndrimi do të mbajnë me  vendimin e SHBA-ve. Nuk është më çështja se çfarë do të ndodhë me datën 11 dhjetor. Duhet përgjigje se cili është qëndrimi që do mbajnë për vendimin e SHBA-ve.” – tha ajo.