Bota nuk duhet të bjerë në panik për variantin e ri “Omicron” të Covid-19, por duhet të përgatitet, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Në një konferencë të premten, shkencëtari kryesor i OBSH-së, Soumya Swaminathan tha se situata tani ishte shumë e ndryshme nga një vit më parë.
Raportet sugjerojnë se “Omicron” është gjetur në afro 40 vende. Por është ende e paqartë nëse varianti është më i transmetueshëm ose më i aftë për t’iu rezistuar vaksinave.
Të dhënat e hershme të raportuara nga shkencëtarët në Afrikën e Jugut, ku varianti u zbulua për herë të parë, sugjerojnë se “Omicron” mund të shmangë njëfarë imuniteti ndaj Covid-19, megjithëse ekspertët paralajmërojnë se analiza nuk është përfundimtare.
Dr.Swaminathan tha në konferencë se varianti ishte “shumë i transmetueshëm”, duke cituar të dhënat nga Afrika e Jugut, dhe tha se mund të bëhet lloji dominues në mbarë botën – megjithëse kjo është e vështirë të parashikohet. Sipas saj, aktualisht është varianti Delta që përbën 99% të rasteve.
“Sa duhet të shqetësohemi? Duhet të jemi të përgatitur dhe të kujdesshëm, jo panik, sepse jemi në një situatë ndryshe nga një vit më parë.”- tha ajo, citon BBC.
Drejtori i urgjencave të OBSH-së, Mike Ryan nga ana tjetër tha se ndërkohë bota aktualisht ka “vaksina shumë efektive” kundër Covid-19 dhe fokusi duhet të jetë në shpërndarjen e tyre më gjerësisht. Ai tha se nuk kishte asnjë provë për të mbështetur ndryshimin e këtyre vaksinave për t’i përshtatur ato për variantin e ri.