Ndërsa tensionet mes Uashingtonit e Moskës po rriten për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës, inteligjenca amerikane ka zbuluar se Kremlini po planifikon një ofensivë në shumë fronte në fillim të vitit të ardhshëm, duke përfshirë deri në 175,000 trupa, sipas zyrtarëve amerikanë dhe një dokumenti të inteligjencës të marrë nga Washington Post.
Kremlini ka lëvizur trupat drejt kufirit me Ukrainën, teksa kërkon nga Uashingtoni të garantojë se Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO dhe se aleanca do të përmbahet nga disa aktivitete ushtarake brenda dhe përreth territorit ukrainas. Kriza ka provokuar frikën e një lufte të përtërirë në Ukrainë dhe vjen përpara një takimi virtual të planifikuar javën e ardhshme midis Presidentit Biden dhe Presidentit rus Vladimir Putin.
“Planet ruse flasin për një ofensivë ushtarake kundër Ukrainës në fillim të vitit 2022 me një shkallë forcash dyfishin e asaj që pamë pranverën e kaluar gjatë stërvitjes së Rusisë pranë kufijve të Ukrainës”, tha një zyrtar i administratës, duke folur në kushte anonimiteti.
“Planet përfshijnë lëvizje të gjerë të 100 grupeve taktike të batalionit me rreth 175,000 personel, së bashku me armatime të rënda, artileri dhe pajisje të tjera.”
Dokumenti i paklasifikuar i inteligjencës amerikane i marrë nga ‘The Post’, i cili përfshin foto satelitore, tregon forcat ruse të grumbulluara në katër vende. Sipas dokumentit, në kufi janë vendosur 50 grupe taktike, së bashku me tanke dhe artileri ‘të sapoardhura’.
Ndërsa vlerësimet ukrainase kanë thënë se Rusia ka afërsisht 94,000 trupa pranë kufirit, harta e SHBA-së e vendos numrin në 70,000 – por ajo parashikon një rritje deri në 175,000 dhe përshkruan lëvizje të gjerë të grupeve taktike të batalioneve drejt dhe nga kufiri ‘për të errësuar synimet dhe për të krijuar pasiguri’.
Analiza e SHBA-së mbi planet e Rusisë bazohet pjesërisht në pamjet satelitore që ‘tregojnë njësi të sapoardhura në vende të ndryshme përgjatë kufirit me Ukrainën gjatë muajit të fundit’, tha zyrtari.
Hollësitë e inteligjencës amerikane ofrojnë një pamje që Sekretari i Shtetit Antony Blinken filloi ta përvijojë këtë javë në një udhëtim në Evropë, ku ai tha se kishte ‘prova se Rusia ka bërë plane për lëvizje të rëndësishme agresive kundër Ukrainës’ dhe paralajmëroi se kjo do kishte pasoja të rënda, duke përfshirë masat ekonomike me ndikim të lartë, nëse Rusia sulmon Ukrainën.
Biden tha se ai po përgatit masa për të rritur koston ndaj presidentit rus Putin për çdo sulm ndaj ukrainës. Lideri ruse nga ana e tij ka hedhur poshtë paralajmërimet e SHBA-së si thashetheme dhe tha se Rusia nuk po kërcënon askënd.
Lëvizjet ushtarake ruse vijnë pasi Moska ka shtuar shqetësimin në Uashington me një mobilizim të papritur të rezervistëve këtë vit dhe një përshkallëzim dramatik të retorikës së saj në lidhje me Ukrainën.
Zyrtarët rusë kanë mbrojtur mobilizimin e rezervës si një masë e nevojshme për të ndihmuar në modernizimin e forcave të armatosura ruse. Por zyrtari i administratës ngriti shqetësime për ‘programin e papritur dhe të shpejtë për të krijuar një rezervë të gatshme rezervistësh me kontratë’, për të cilin zyrtari tha se pritet të shtojë 100,000 trupa shtesë nga rreth 70,000 të dislokuara tani.
Më herët Sekretari i Shtetit Blinken tha se Putin mund të urdhërojë shpejt një pushtim të Ukrainës.
“Ne nuk e dimë nëse Presidenti Putin ka marrë vendimin për të pushtuar Ukrainën. Ne e dimë se ai po krijon kapacitetin për ta bërë këtë në një kohë të shkurtër nëse vendos kështu”, u tha Blinken gazetarëve në Evropë një ditë para takimit me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.
“Ne duhet të përgatitemi për të gjitha rastet”, shtoi ai.
Lavrov, në komentet publike të kësaj jave, i bëri jehonë paralajmërimeve të Putinit për pajisjet ushtarake dhe aktivitetin e SHBA-së që shkelin kufijtë e Rusisë dhe tha: “Skenari i konfrontimit ushtarak po kthehet”.
Dokumenti i inteligjencës sugjeron gjithashtu se forcat ruse mund të lënë pajisje në objektet e trajnimit për të lejuar fillimin e shpejtë të një sulmi ndaj Ukrainës.
“Pajisjet mund të lihen pas në fusha të ndryshme trajnimi për të mundësuar një ndërtim të shpejtë dhe përfundimtar,” shton dokumenti.
Një zyrtar i qeverisë ukrainase tha se stërvitjet ushtarake ruse të kryera në fillim të këtij viti pranë kufijve të Ukrainës ndihmuan forcat ruse në thelb të provonin një pushtim.
“Trupat ruse përpunuan çështjet e krijimit të grupeve të goditjes pranë kufijve të shtetit tonë, masat e mobilizimit, mbështetjen logjistike të grupeve dhe transferimin e kontingjenteve të rëndësishme ushtarake, përfshirë edhe nga ajri, nga Rusia në kufirin me Ukrainën”. tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.
Ndërkohë që ka hedhur bazat për një pushtim, qeveria ruse ka zhvilluar gjithashtu një fushatë propagandistike, tha zyrtari i administratës amerikane.
“Për më tepër, në muajin e kaluar, informacionet tona tregojnë se përfaqësuesit e ndikimit rus dhe organet e mediave kanë filluar të rrisin përmbajtjen që denigrojnë Ukrainën dhe NATO-n, pjesërisht për të fajësuar Ukrainën për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak rus”, tha zyrtari.
“Informacionet e fundit tregojnë gjithashtu se zyrtarët rusë propozuan rregullimin e operacioneve të informacionit të Rusisë kundër Ukrainës për të theksuar narrativën se liderët ukrainas ishin instaluar nga Perëndimi, ushqenin një urrejtje për ‘botën ruse’ dhe po vepronin kundër interesave të popullit ukrainas”, shtoi ai. Në komentet e tij në Letoni, Blinken i paralajmëroi ukrainasit që të mos i japin Rusisë një pretekst për veprim ushtarak.
“Ne po i bëjmë thirrje gjithashtu Ukrainës që të vazhdojë të ushtrojë përmbajtje, sepse, rusët do provokojnë për diçka që ata kishin planifikuar ta bënin gjatë gjithë kohës”, tha ai.
Putini ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të japin garanci të nënshkruara që përjashtojnë çdo zgjerim të NATO-s për të përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë dhe kufizimin e aktivitetit ushtarak pranë kufijve të Rusisë, veçanërisht në dhe rreth Ukrainës.
Kërkesat për një pakt të ri të sigurisë evropiane vijnë pasi Putini ka sugjeruar për muaj të tërë se aktivitetet ushtarake të SHBA-së dhe aleatëve në Ukrainë dhe afër kufijve të Rusisë po kalojnë një vijë të kuqe për Kremlinin.
Rusia ka nevojë për ‘garanci të sakta ligjore e gjyqësore, duke qenë se kolegët tanë perëndimorë nuk kanë arritur të përmbushin angazhimet verbale që kanë marrë’, tha Putin në një fjalim në Kremlin këtë javë, duke sugjeruar fillimin e ‘bisedimeve thelbësore mbi këtë temë’.
Putin ka kritikuar prej kohësh zgjerimin e NATO-s në shtetet e ish-Traktatit të Varshavës si një shkelje e pandershme ndaj Moskës. Ai tha se një marrëveshje konkrete duhet ‘të përjashtojë çdo zgjerim të mëtejshëm drejt lindjes së NATO-s si dhe të ndalojë vendosjen e sistemeve të armëve që përbëjnë një kërcënim për ne në afërsi të territorit të Rusisë’.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki hodhi poshtë idenë se Uashingtoni do të jepte një garanci që Ukraina nuk do të hynte në NATO.
“Vendet anëtare të NATO-s vendosin se kush është anëtar i NATO-s, jo Rusia”, u tha Psaki gazetarëve gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë të premten.
“Kështu ka funksionuar gjithmonë procesi dhe kështu do të vazhdojë. Mendoj se është e rëndësishme të kujtojmë se nga vjen veprimi provokues. Nuk janë Shtetet e Bashkuara. Nuk është Ukraina.”
Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas dhe analistët ushtarakë besojnë se Rusia do të ndërmerrte një pushtim në shkallë shumë më të madhe tani sesa në vitin 2014, kur vendi aneksoi Krimenë dhe nxiti një kryengritje separatiste në lindje të Ukrainës. Plani, besojnë zyrtarët dhe analistët, mund të jetë që të detyrohen trupat ukrainase të luftojnë në fronte të shumta, duke kërkuar jo aq shumë territor, por një kapitullim nga Kievi dhe mbështetësit e tij perëndimorë duke bërë që të pranojnë garancitë e sigurisë që dëshiron Putini. Analistët ushtarakë e kanë krahasuar këtë strategji me pushtimin e Gjeorgjisë nga Moska në vitin 2008.
Në komentet e kësaj jave, Putin tha se stërvitjet me bombardues strategjikë të aftë për armë bërthamore që fluturonin mbi Detin e Zi përbënin një kërcënim për Moskën, së bashku me sistemet e mbrojtjes raketore amerikane në Poloni dhe Rumani. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për vendosjen e raketave të NATO-s në territorin ukrainas që mund të kenë një kohë fluturimi prej 7 deri në 10 minuta për në Moskë, megjithëse nuk janë njoftuar plane të tilla.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuake e Washington Post
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani