Vendosni fjalën kyçe....

I ngatërrojnë për militantë, Forcat e sigurisë në Indi i bëjnë pritë kamionit me minatorë dhe vrasin disa prej tyre


Forcat e sigurisë në shtetin verilindor të Indisë, Nagaland, kanë vrarë të paktën 13 civilë në një pritë pranë kufirit me Mianmarin.

BBC shkruan se një patrullë e ushtrisë gabimisht hapi zjarr ndaj minatorëve që ktheheshin në shtëpi pas punës, duke vrarë gjashtë prej tyre. Shtatë civilë të tjerë dhe një ushtar indian vdiqën kur vendasit e zemëruar u përballën me forcat e ushtrisë.

Ministri i Brendshëm Amit Shah tha se ai ishte “i shqetësuar” dhe u zotua të hetojë.

Ushtria ka vite që po lufton me militantët separatistë në Nagaland. Por forcat indiane janë akuzuar se kanë shënjestruar gabimisht vendasit e pafajshëm në operacionet e tyre.

Incidenti të shtunën mbrëma ndodhi pranë fshatit Oting në rrethin Mon, i cili kufizohet me Mianmarin, gjatë një operacioni kundër kryengritjes.

Ushtarët nga Assam Rifles, një njësi e ushtrisë indiane, hapën zjarr mbi një kamion që transportonte 30 ose më shumë punëtorë të minierës së qymyrit pranë kampit të tyre.

“Ushtarët kishin informacione të inteligjencës për disa lëvizje militante në zonë dhe kur panë kamionin, ata i ngatërruan minatorët si rebelë dhe hapën zjarr duke vrarë gjashtë punëtorë.”– tha një zyrtar për Reuters, duke kërkuar anonimitetin pasi nuk ishte i autorizuar të fliste me median.

Pasi u përhap lajmi për vrasjet, qindra vendas rrethuan kampin përpara se të digjnin automjetet që i përkisnin njësisë së ushtrisë dhe të përlesheshin me ta.

Më pas, ushtarët vranë shtatë persona të tjerë. Ushtria indiane tha në një deklaratë se një nga ushtarët e saj u vra në përleshje, ndërsa të tjerët u plagosën.