Papa Françesku ka denoncuar mënyrën se si Evropa i trajton emigrantët. Gjatë fjalimit të tij në ishullin grek të Lesbos, ku takoi dhjetëra emigrantë, Papa Françesku tha se ata po përdoreshin për propagandë politike.
Ai kërkoi përqendrim në shkaqet e migrimit, të tilla si “luftërat e harruara”, në vend që të ndëshkohen ata që ndjejnë efektet e tyre.
Dhe ai kritikoi ndërtimin e mureve për të mbajtur njerëzit jashtë.
“Në Evropë ka nga ata që këmbëngulin ta trajtojnë problemin si një çështje që nuk i shqetëson ata – kjo është tragjike.”- tha ai. “Historia na mëson se interesi i ngushtë vetjak dhe nacionalizmi çojnë në pasoja katastrofike.”
Ndërsa pandemia e koronavirusit kishte treguar se sfidat e mëdha duhej të përballeshin së bashku dhe kishte disa shenja se kjo po ndodhte në ndryshimin e klimës, kishte pak shenja për një qasje të tillë ndaj migrimit.
“Është e lehtë të ndikosh në opinionin publik duke futur frikën ndaj tjetrit.”- tha Papa Françesku, citon BBC.
“Duhen sulmuar shkaqet e largëta, jo njerëzit e varfër që paguajnë pasojat dhe madje përdoren për propagandë politike”.
Papa përmendi luftën, marrëveshjet ekonomike “ku njerëzit duhet të paguajnë” dhe fluksin e armëve si faktorë që i shtyjnë njerëzit të kërkojnë një jetë më të mirë diku tjetër.