Vendosni fjalën kyçe....

PD sqaron komunikatën e Bardhit: Emaili nuk ka të bëjë me publikimin e emrave por me shpërndarjen e kartave të delegatëve me logon e partisë


Partia Demokratike ka sqaruar komunikatën e Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi dërguar në degët e PD lidhur me shpërndarjen e kartave të delegatëve për Kuvendin e datës 11 dhjetor.

Në sqarim thuhet se “në media është publikuar një email i Sekretarit të Përgjithshëm z. Bardhi drejtuar Degëve të Partisë. Duam të sqarojmë se email nuk ka të bëjë me leximin e emrave, por me faktin që po shpërndahen bexha për 11-tën me logon e PD-së dhe Kuvendit Kombëtar kujtdo që mendohet se është delegat”.

Sipas sqarimit nuk lejohet përdorimi i simboleve të partisë pa autorizim nga organet konkrete.

Duke qenë se nuk lejohet përdorimi i simboleve të partisë pa autorizim, si dhe në vijim të ankesave të anëtarëve të Kuvendit për përdorimin pa leje të tyre të të dhënave nga persona të paidentifikuar, është sqaruar që dokumentet janë të falsifikuara, të paautorizuara nga asnjë organ i PD. Për këtë shkak është dërguar kërkesa në degë për mbledhjen e informacionit për personat qe e kryejnë kete proces të paligjshëm”-thuhet në sqarim.