Pasi iu nënshtruan testit të drogës, 12 efektivë policie të drejtorisë vendore të policisë Shkodër kanë rezultuar pozitivë.
Pas procesit të nisur prej disa ditësh tashë, efektivët të cilët rezultojnë pozitivë ndaj këtij testi mund të përjashtohen nga radhët e policisë.
Por sipas “News 24”, një pjesë e atyre që kanë dalë pozitivë në testin e drogës në Shkodër kanë një moshë mbi 50 vjeç, duke bërë që këto policë të kenë dyshime për vërtetësinë e testit apo përgjigjeve zyrtare që janë sjellë.
Disa prej tyre pretendojnë se nuk kanë konsumuar kurrë lëndë narkotike në jetën e tyre, ndaj pritet që të bëjnë padi penale ndaj klinikës që ka bërë testet. Po ashtu ata pritet që të ritestohen vetë në disa klinika të tjera për të vërtetuar që ata nuk janë përdorues droge.
Sipas “News 24”, këta efektivë policie thonë se janë thjesht duhanpirës, por jo përdorues droge, dhe kanë dyshime se kjo gjë mund të ndikojë tek ky test.