Vendosni fjalën kyçe....

Basha propozon ndryshime në Kodin Penal: Të ashpërsohen dënimet për krimet zgjedhore, politikanët që zgjidhen me votat e kriminelëve të dënohen me 22 vjet burg


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se do të propozojë ndryshimin e Kodit Penal, për të ashpërsuar dënimet për krimet zgjedhore.

Në një postim në “Twitter”, Basha përmend dënime me 15 apo me 22 vite burg.

“Krahas vettingut në politikë, me qëllim dhënien fund njëherë e mirë lidhjeve të botës së krimit me politikën, PD do të propozojë ndryshimin e Kodit Penal, në përputhje me Kodin Penal italian (n. 416 ter), duke ashpërsuar dënimet për këdo që kryen krime zgjedhore.

  1. Kushdo që pranon drejtëpërdrejtë apo nëpërmjet ndërmjetësve, premtimin për të fituar vota nga elementë të krimit të organizuar, në shkëmbim të parave apo favoreve të tjera, dënohet me 15 vite burg.
  2. I njëjti dënim parashikohet edhe për elementët e krimit të organizuar që kanë dhënë premtime të tilla, apo këdo tjetër që rezulton i përfshirë.
  3. Nëse politikani, i përfshirë në një skemë të tillë, zgjidhet, ai dënohet me 22 vite burg.
  4. Politikanit dhe kujtdo që përfshihet në veprimtari të tilla i ndalohet përjetësisht ushtrimi i funksioneve publike.

Qeverisja dhe fatet e shqiptarëve nuk mund të diktohen nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Partia Demokratike do të bëjë gjithçka që zëri i qytetarëve shqiptarë të dëgjohet dhe vullneti i tyre të respektohet.”- shkruan Lulzim Basha.