Vendosni fjalën kyçe....

Pak para festave, pronari indiano-amerikan shkarkon 900 persona përmes “Zoom”-it


Kompania amerikane e huadhënies hipotekore “Better.com” pushoi nga puna 900 punonjës përmes një mbledhjeje në “Zoom” pa i njoftuar paraprakisht dhe vetëm disa ditë para festave. CEO-ja i firmës i akuzoi ata për “vjedhje” nga kolegët dhe klientët duke qenë joproduktivë.

“Nëse jeni në këtë mbledhje, ju jeni pjesë e grupit të pafat që po pushohet nga puna. Punësimi juaj këtu ndërpritet menjëherë.”- tha CEO-ja i firmës Vishal Garg javën e kaluar.


Garg tha se kompania po pushon rreth 9% të fuqisë së saj punëtore, që është afërsisht 900 njerëz. Shefi i financave Kevin Ryan u përpoq të zbuste vendimin në një deklaratë për CNN Business, duke u shprehur se kur “duhet të kryhen pushime nga puna është e vështirë, veçanërisht këtë kohë të vitit”, por tha se hapi ishte i nevojshëm për të mbajtur firmën në këmbë.

Garg, megjithatë, tha se vendimi ishte nxitur nga efikasiteti, performanca dhe produktiviteti i pamjaftueshëm i tregut. Revista Fortune më vonë raportoi se ai i akuzoi hapur punonjësit e larguar për “vjedhje” nga kolegët dhe klientët duke qenë joproduktivë dhe duke punuar vetëm dy orë në ditë.

“Kjo është hera e dytë në karrierën time që po e bëj këtë dhe nuk dua ta bëj këtë. Herën e fundit që e bëra, qava.”- tha Garg më tej në telefon.

Kjo nuk është hera e parë që Garg sulmon punonjësit e tij. Sipas një raporti të Forbes, ai i quajti ata “delfinë memecë” sepse ishin “shumë të ngadalshëm” në një email që i dërgoi stafit në fillim të këtij viti.