Vendosni fjalën kyçe....

Makina e policisë merr para protestuesit në Mianmar, vdesin pesë persona (Video)


Pesë persona janë vrarë pasi forcat e sigurisë në Mianmar përplasën një makinë në një turmë protestuesish kundër grushtit të shtetit në qytetin më të madh të vendit të Azisë Juglindore, Yangon, kanë raportuar mediat lokale.

Dhjetra persona morën pjesë në marshimin e së dielës, me njerëz që brohoritnin parulla, duke mbajtur portrete të lideres së rrëzuar të Mianmarit Aung San Suu Kyi dhe një pankartë të madhe të kuqe ku shkruhej: ‘Liri nga frika’.

Turma pushtoi një rrugë, duke bllokuar trafikun në të dhe forcat e sigurisë përdorën më pas mjetet për të shpërndarë tubimin e paligjshëm. Videot tronditëse të ngarkuara në mediat sociale kanë treguar një makinë me shpejtësi që përplaset me demonstruesit dhe rrëzon në tokë disa që nuk ishin në gjendje të ikin në kohë.

Sipas dëshmitarëve, ushtarët më pas dolën nga fuoristrada dhe filluan të ndjekin protestuesit që shpërndaheshin, duke rrahur dhe arrestuar ata që mund të kapnin.

Pesë persona humbën jetën si pasojë e përplasjes, ndërsa 15 të tjerë përfunduan të arrestuar, raporton ‘Myanmar Now’. Mianmari është përfshirë nga trazirat që nga shkurti, kur ushtria arrestoi Aung San Suu Kyi dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit.

Muajin e kaluar, ata u akuzuan për mashtrim zgjedhor gjatë votimit të 2020-ës, por i kanë hedhur poshtë akuzat. Vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët punuan në zgjedhje thanë se ato ishin kryesisht të lira dhe të drejta.