Një ndërtesë është shembur në Egjip duke i marrë jetën 25 personave.
Associated Press raporton se ekipet e shpëtimit nxorrën të gjallë një foshnjë 6-muajshe nga rrënojat e ndërteës së shembur.
Nëna, babai dhe motra e foshnjës tashmë ishin gjetur më parë të vdekur, ndërkohë që ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të vëllait të madh, i cili është zhdukur. Sipas AP për këtë zyrtarët kanë folur në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar për të folur.
Gjendja shëndetësore e foshnjës është e qëndrueshme, tha një zyrtar i agjencisë së mbrojtjes civile të vendit.
Për momentin nuk dihet se çfarë e shkaktoi shembjen e ndërtesës. Një komision inxhinierik u krijua për të ekzaminuar integritetin strukturor të ndërtesave përreth, tha të shtunën Khalid Abdel-Al, kreu administrativ i provincës së Kajros. 26 persona të tjerë u plagosën nga kjo ngjarje.
Shembjet e ndërtesave nuk janë të pazakonta në Egjipt, ku ndërtimet nën standarde janë të përhapura në lagjet e varfra, zonat e varfra apo rurale.
Për shkak se pronat e paluajtshme janë të shtrenjta në qytetet e mëdha si Kajro dhe qyteti i Aleksandrisë në Mesdhe, zhvilluesit që kërkojnë fitime më të larta shpesh shkelin rregullat e ndërtimit. Kate shtesë shpesh shtohen pa lejet e duhura.