Që prej mbrëmjes së djeshme vendi është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut e borës.
Ndërsa rrugët kryesore në vend janë të kalueshme, drejtuesve të mjeteve u bëhet thirrje që të tregojnë kujdes, të zvogëlojnë shpejtësinë e të respektojnë sinjalistikën rrugore për të shmangur aksidentet. Nga reshjet e shiut ka pasur mungesë energjie elektrike në disa fshatra të Elbasanit, të Prrenjasit, Cërrikut e Gramshit.
Në Durrës reshjet kanë bërë që të përmbyten disa rrugë të qytetit, ku më shumë probleme janë shfaqur në rrugët rreth stadiumit, në shëtitoren Taulantia, në rrugën e Currilave e ish-Kënetë.
Në Vlorë, shiu e erërat e forta kanë pezulluar lundrimin në det për peshkarexhat e mjetet e vogla.
Në Lezhë ka pasur reshje shiu po deri tani nuk raportohet për përmbytje a probleme me qarkullimin.
Në zonat malore në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, e Korçë ka pasur reshje bore po deri tani nuk ka bllokim rrugësh. Ndërkohë shoferëve u kërkohet që të pajisen me zinxhirë.
Problem për sa i përket furnizimit me energji elektrike mbeten fshatrat e Dibrës e Shkodrës, njofton OSHEE. Në disa lagje të Shkodrës ka pasur mungesë energjie për shkak të dëmtimit të linjës 35 kV, megjithatë spitalet e hidrovoret kanë furnizim të pandërprerë.