Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen 5 të rinj në Tiranë, u kapen 26 milionë lekë, 2 mijë euro e një sasi heroine


Pesë të rinj janë arrestuar në Tiranë. Ata akuzohen për prodhim e shitje lëndësh narkotike.

Në pranga kanë rënë 24-vjeçari Shkëlqim Palushi, 23-vjeçari Xhekson Kolezi, 23-vjeçari Geraldo Zyberi, 30-vjeçari Armandi Diçe e 26-vjeçari Emiljan Dyrmishi.

Ata janë kapur gjatë operacionit ‘Kompleks’ dhe u janë sekuestruar një pistoletë, 26 milionë lek e 2 mijë euro, një sasi heroine, një peshë, 10 celularë e një mjet.

“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, bazuar dhe në provat e grumbulluara, si rezultat i një hetimi disamujor, nën drejtimin e Prokurorisë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, në bashkëpunim me specialistët e Strukturave të Hetimit në DVP Tiranë, është finalizuar operacioni policor “Kompleks”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit:

Shkëlqim Palushi, 24 vjeç, për veprat penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”;

Xhekson Kolezi, 23 vjeç, Geraldo Zyberi, 23 vjeç, Armandi Diçe, 30 vjeç dhe Emiljan Dyrmishi, 26 vjeç, për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitet kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit heroinë dhe cannabis sativa, në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e llojit pistoletë, 2.600.000 lekë të rinj dhe 2000 euro të përfituara nga ky aktivitet kriminal, një sasi lënde narkotike heroinë, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, një peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike, 10 telefona celular, një automjet që përdorej nga të arrestuarit, për shpërndarjen e lëndës narkotike. Vijon operacioni për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë, si dhe dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.” – thuhet në njoftimin e policisë.