Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët, këshilltarët e Presidentit Ilir Meta dolën në një Konferencë për Mediet për të bërë të ditur qëndrimin e Presidencës lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit të 2019-ës.
Këshilltari Juridik Bledar Dervishi tha se Gjykata Kushtetuese për interesa që bien në kundërshtim me ato të shqiptarëve, i zhgënjeu ata duke hequr dorë nga funksioni i saj dhe duke lënë çështjen pa zgjidhje.
“Ditën e djeshme PResidenti është njohur zyrtarisht me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi të rrëzojë kërkesën e Shoqatës së Bashkive, e cila kishte kërkuar shpalljen antikushtetuese të procesit të votimeve njëpartiak të 30 Qershorit 2019.
Presidenti ishte pjesë e këtij shqyrtimi gjyqësor kushtetues dhe mbështeti kërkesën e Shoqatës së Bashkive dhe si palë e interesuar i kërkoi Gjykatës kontrollin e Kushtetuesmërisë së akteve që të përmbushë rolin, misionin dhe përgjegjësitë që kushtetuta i ka dhënë, në mënyrë që gjithë shqiptarqëve t’u ofrohej një zgjidhje e plotë.
Përkundër pritshmërive të larta dhe legjitime të popullit shqiptar kjo Gjykatë për fat të keq i zhgënjeu të gjithë. Gjykata Kushtetuese për interesa që nuk përkojnë me ato të popullit shqiptar, me këtë vendim hoqi dorë nga ushtrimi i funksionit të saj sublim dhe e shpalli veten jo kopetente. Por për çfarë? Për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve, parimet dhe vlerat më të larta tonat shoqërore me të cilat ne si shqiptarë kemi vendosur të drejtojmë jetën tonë.
Për fat të keq Gjykata Kushtetuese për të deklaruar mungesën e juridiksionit kushtetues, e la çështjen pa zgjidhje përfundimtare.”- tha Dervishi.