Vendosni fjalën kyçe....

Këshilltari i Metës: Kushtetuesja i fshehu “Venecias” pyetjen e Shoqatës së Bashkive, shkelja më e rëndë


Gjatë fjalës së tij në Konferencën për Mediet, Këshilltari Juridik i Presidentit, Bledar Dervishi tha se me vendimin për zgjedhjet e 30 Qersorit, Gjykata Kushtetuese ka cënuar rëndë edhe parimet e Transparencës.

Ai tha se Gjykata i fshehu Komisionit të Venecias pyetjen kryesore të Shoqatës së Bashkive. Dervishi u shpreh se kjo është një nga shkeljet më të rënda të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese, në datën 09.07.2021, i dërgoi Komisionit të Venecias kërkesën për dhënien e një opinioni këshillimor, por duke injoruar dhe fshehur pyetjen që kishte kërkuar Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, dhe duke orientuar Komisionin e Venecias të shprehej vetëm për 3 pyetjet e hartuara nga vet Gjykata.

Këto pyetje të hartuara nga Gjykata, jo vetëm që nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me objektin e gjykimit, por në mënyrën se si ato u formuluan, qartazi kërkonin të orientonin dhënien e një Opinioni që do të shërbente për të legjitimuar vendimmarrjen e saj të mëvonshme, për shpalljen e Gjykatës Kushtetuese si jo kompetente për shqyrtimin e çështjes.

Kjo është një nga shkeljet më të rënda të Gjykatës Kushtetuese, që përmes një procesi jo transparent, duke cenuar procesin e rregullt ligjor, dhe barazinë e palëve në gjykim, i mohoi Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, të drejtën për të marrë një përgjigje përfundimtare për pyetjen që kishte ngritur.

Madje, Gjykata Kushtetuese as nuk e njoftoi këtë të fundit (Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë) dhe as i dha asaj ndonjë shpjegim për këtë fakt.

Kjo mënyrë operimi e Gjykatës Kushtetuese, na krijon bindjen e palëkundur se, Gjykata Kushtetuese, e kishte marrë vendimin e saj për ta shpallur veten jo kompetente për zgjidhjen e çështjes, që prej datës 23 qershor 2021, dhe dërgimi i çështjes në mënyrë të papritur në Komisionin e Venecias, për të marrë një opinion këshillimor, ishte një taktikë e gjykatës, që përmes procedurave, të shtynte në kohë vendimmarrjen e saj, me qëllim që t`i krijonte vetes një justifikim përballë publikut, për mos përmbushjen e detyrës dhe funksionit themelor të saj, duke u vetëshpallur jo kompetente për shqyrtimin e themelit të çështjes. 

Se sa kjo mënyrë veprimi e Gjykatës Kushtetuese iu përshtat kërkesave të Qeverisë, kjo nuk ka nevojë për komente“, thuhet në qëndrimin e Presidencës.”- deklaroi Dervishi.