Vendosni fjalën kyçe....

Lulzim Basha: Pas 9 shtatorit kuptova se s’e paskam njohur mirë Berishën, çfarë më dhemb më shumë


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një intervistë për ‘News24’, është shprehur se pas 9 shtatorit ka kuptuar se nuk e ka njohur mirë ish-kryeministrin Sali Berisha dhe se për këtë ndjen keqardhje.

Ai ka shtuar se njeriu njihet në momentin kur ceket interesi personal.

“E vërteta është që kam patur një bashkëpunim shumë të ngushtë. Ne kemi patur një marrëdhënie shumë të ngushtë me njëri-tjetrin gjatë kohës që zoti Berisha ka qenë kryetar i Partisë Demokratike dhe më pas dhe të thuash habi është më e pakta për të parë se si transformohet njeriu dhe gjuha e tij pas 9 shtatorit. Po të shikoni përcaktimet, qëndrimet, vlerësimet që ka patur, jo vetëm me mua, personin tim në tërësi dhe se si këto kanë ndryshuar si nata me ditën pas nëntë shtatorit, atëherë ndjej jo vetëm një keqardhje të thellë, sigurisht edhe le të themi atë ndjesinë se është dikush që nuk e paskam njohur tamam, por ndjej dhe një keqardhje në raport me ata bashkëpunëtorë të cilët ndoshta i kam paragjykuar kur kanë qenë në pozita të ngjashme, apo në disa raste identik, siç ndodhemi tani unë dhe zoti Berisha. Pra në momentin kur ceket interesi personal është momenti kur njihet njeriu.

Ju e keni parë që unë kam bërë dhe vazhdoj të bëj një përpjekje që unë e kam në themel të formimit tim, edukatës time, por edhe të identitetit tim si qytetar në radhë të parë, pastaj edhe si politikan që mos të përgjigjem me të njëjtën monedhë, ama gjuha, metodat e veprimit, trillimet, gënjeshtrat, zhbërja pothuajse 100% e të vërtetave apo kthimi i tyre kokëposhtë menjëherë pas nëntë shtatorit nga zoti Berisha, padiskutim që më ka lënë një shije jashtëzakonisht të keq.”– është shprehur Basha në një intervistë për “News 24”.

I pyetur se çfarë e ka cënuar më shumë nga akuzat e Berishës, Basha u shpreh se ajo që i dhemb më shumë është se si një njeri i cili ka patur kaq shumë besim nga demokratët në 30 vite, vë interesin e tij personal përpara interesave të PD-së dhe demokratëve.

“Akuzat në vetvete janë bërë gjithmonë e më qesharake dhe paradoksi qëndron që një akuzë e bërë një javë është moderuar apo ndryshuar javën tjetër në varësi të interesit apo në varësi të siç është tekur, tekave të zotit Berisha. Ajo që më dhemb më shumë dhe më dhemb edhe sot është se akoma ndonëse me mendje e kuptoj, nuk arrij ta përthith, nuk arrij ta pranoj në qenien time, akoma nuk arrij ta pranoj në qenien time faktin që një njeri i cili ka patur kaq shumë besim nga demokratët në 30 vite, të cilit i është besuar drejtimi i partisë, drejtimi i shtetit, i qeverisë që është investuar kaq shumë për të, nga të gjithë ne, nga unë personalisht, nga familjarët e mi, nga demokratët në lagjen ku jam rritur, nga demokratët anembanë Shqipërisë, mundet që kaq lehtësisht të thotë para vetes time nuk vë fatin e këtyre demokratëve që në fund të fundit për 30 vite me radhë janë çelësi i atyre sukseseve që kemi arritur.

 Ata janë në të vërtetë heronj të, njerëzit që meritojnë t’iu jepet e gjithë kredia për gjërat e mëdha dhe pozitive që ka arritur Partia Demokratike për shqiptarët, nëse ka gabime, nëse ka të meta dhe ka boll, ajo është përgjegjësi e lidershipit. Si mundet në një moment kur të cenohen interesat personale, të shkelësh pa pikë ndjeshmërie njerëzore mbi sakrificat e demokratëve për interesat e tua personale. Kjo është diçka të cilën me thënë të drejtën nuk arrij ta tejkaloj në planin emocional ndonëse në planin racional për fat të keq jo vetëm e kam kaluar, por edhe më është paralajmëruar disa herë në mënyrë të qartë nga zoti Berisha që këto rrugë do të ndiqte dhe këto rrugë ka ndjekur, por në fund ajo që mbetet është vendosmëria ime si kryetar i Partisë Demokratike, që interesat e demokratëve, interesat e Partisë Demokratike do të prevalojnë dhe për këtë të mos ketë askush as më të voglin hezitim, as më të voglin dyshim.”- tha Basha.