Vendosni fjalën kyçe....

Përparim Rama bën betimin, merr detyrën e kryetarit të Prishtinës


Përparim Rama, është betuar sot para asamblistëve të Kuvendit të Prishtinës në një ceremoni solemne si kryetari i ri i kryeqytetit të Kosovës.

Detyra iu dorëzua atij nga ish-kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti.

Në fjalën e tij të parë, Rama u shpreh se pavarësisht sfidave të shumta që e presin, vullneti për të bërë punë është shumë herë më i madh.

 “Prej sot zëri i tyre do të dëgjohet. Guximi dhe vullneti për me ia dashtë të mirën vendit tonë është ajo çka na bashkoi gjatë fushatës, për me ëndërru të bukurën me shpresu për një të ardhme më të mirë është forca që do të na duhet në vijim, ajo e unitetit, sinqeritetit e bashkimit.

Jam i vetëdijshëm që sfidat do të jenë të shumta, por vullneti për të bërë shumë punë është shumë fish më i fortë se çdo sfidë, sepse është dëshira e të gjithë neve. Nga sot ne u përvishemi punës, Prishtina do të jetë qytet i fëmijëve, të moshuarve, artistëve e sportistëve, qytet plot gjallëri, i mençur, i gjelbër, e i digjitalizuar. U bëj thirrje të gjitha partive politike që të na bashkangjiten në qeverisjen tonë, për Prishtinën tonë.”– u shpreh Rama.

Gjatë ceremonisë së betimit, kryebashkiaku i ri i Prishtinës i puthi dorën nënës së tij përpara marrjes së detyrës së re.