Vendosni fjalën kyçe....

Policia Bashkiake paralajmëron shoferët: Mos parkoni në vendet ku nuk lejohet, do iu vëmë gjobë ose bllokojmë makinën


Policia Bashkiake e Tiranës ka një thirrje për drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë rregullat e sinjalistikës rrugore. Përveç shoferëve që vijnë nga jashtë, policia apelon edhe banorët e Bashkisë së Tiranës.

Policia paralajmëron se do të marrë masa administrative në rastet kur mjetet janë parkuar në vendet që nuk lejohet parkingu, ose mjeti do të bllokohet ose do merret karrotrrec.

Ky paralajmërim vjen në prag të festave të fundvitit kur vihet re një fluks i shtuar i automjeteve nga jashtë.

“Në vijim të punës së përditshme, në funksion të marrjes së masave për lehtësimin e trafikut në qytet, në bashkëpunim të ngushtë edhe me Policia Rrugore, shërbimet e Policisë Bashkiake, po marrin vazhdimisht masa, për parkimet e gabuara. Gjatë muajit Dhjetor, vihet re një shtim i automjeteve me targa të huaja, drejtuesit e të cilave nuk po respektojnë si duhet sinjalistikën rrugore të vendosur, duke u bërë në mjaft raste, pengesë për lëvizjen e lirë të mjeteve dhe këmbësorëve.

Policia Bashkiake, u bën thirrje, të gjithë drejtuesve të automjeteve, qofshin ata qytetarë të Tiranës, të ardhur nga rrethet e tjera, apo nga jashtë Shqipërisë për të festuar festat e fundvitit pranë familjeve të tyre, që të bëjnë kujdes të shtuar ndër të tjera, edhe me parkimin e automjeteve të tyre konform sinjalistikës rrugore, pasi në të kundërt do të jenë objekt i masave administrative, bllokimit të mjeteve të tyre me bllokues gome, apo heqja me mjet ngritës  sipas rastit dhe transportimit për në pikat e bllokimit të automjeteve.”– paralajmëron Policia Bashkiake e Tiranës.