Ndërsa ishte i pranishëm në ceremoninë në Nju Jork ku u nderua me çmimin e solidaritetit nga Organizata “Vital Voices Global Partnership”, kryeministri Edi Rama foli për ndihmën që u dha shqiptarëve.
Në fjalën e tij, ai u shpreh: “Më duket një shenjë mjaft alarmuese për botën në të cilën jetojmë, kjo dëshirë e madhe për të vlerësuar një gjykim bazik të arsyeshëm. Nuk është kurrëfarë heroizmi të mos u kthesh kurrizin njerëzve që rrezikojnë të vdesin”.
Rama tregoi edhe për telefonatën që kishte marrë nga një zyrtar amerikan, i cili i kërkonte ndihmë për strehimin afganëve. Ai nuk i kurseu batutat, duke u shprehur se as në ëndërr nuk e kishte parë që ish-sekretares së Shtetit Hillary Clinton do i duhej ndihma e tij.
Ai vijoi me batutat duke thënë se amerikanët janë gjithmonë të paparë kur vjen puna për të të joshur, e pastaj sipas tij “kur mbarojnë punë të thonë: Më fal kush je?”. Por rasti i Clintonit sipas tij ishte i ndryshëm.
“Kur u mblodhëm për të diskutuar tërheqjen nga Afganistani, menjëherë mendova për ‘tradhtarët’.’Tradhtarët’, siç na mëson historia jonë mjaft e hidhur e diktaturës, janë ata që pasi instalohet një regjim shikohen si bashkëpunëtorët e armikut dhe, në këtë rast, ‘tradhtarët’ ishin të gjithë ata afganë, burra e gra, që na u gjendën ne, që punuan me ne, që mbuluan kaq shumë shërbime për vendet e NATO-s. Gjithashtu ishin ata që u rreshtuan në vijën e parë të ndryshimit, pasi besuan në ato që u thamë ne, që ishim aty për ta bërë një vend ndryshe Afganistanin. Ata na besuan, u rreshtuan krah nesh dhe befas, pas njëzet vjetësh, ne ikëm. Sigurisht, ky nuk ishte vendimi im. Unë e them përherë se të jesh Kryeministri i Shqipërisë në NATO është punë goxha e lehtë, sepse nuk të takon ty t’i marrësh vendimet. Por gjithsesi, m’u duk mjaft e çuditshme që askujt nuk po i shkonte mendja tek këta njerëz.
Më pas, në gusht, kur situata nisi të vështirësohej, dikush erdhi në Shqipëri e më tha: ‘Sekretares Clinton i duhet ndihma jote’. Ia ktheva: ‘Si është e mundur? As në ëndërr s’e kam parë!’.’E kam seriozisht!’, vazhdoi ai.
Pastaj, ai – se ishte një ‘ai’, meqë ra fjala – më tregon për Vital Voice e gjithë të tjerat dhe unë i them: ‘Në rregull, eja ta bëjmë’. ‘Si?’, thotë.
‘Ta bëjmë, t’i marrim këto gra’.
Më thotë: ‘A do që të të marrë në telefon Sekretarja Clinton?’
‘Jo – i them – eja ta bëjmë, pastaj, nëse do të kujtohet më për këtë, le të më marrë në telefon.’ (E di, meqë ra llafi, se është shumë amerikanë… të paparë kur vjen puna për të të joshur e, pastaj, kur mbarojnë punë të thonë: ‘Më fal kush je?’)
Megjithatë, nuk ishte ky rasti dhe ajo më telefonoi. Kur të gjitha gratë në listë ishin shpëtuar e vendosur në Shqipëri, më telefonoi dhe, sigurisht, ishte nder shumë i madh.”- tha Rama.