Deputeti demokrat Arbi Agalliu ka dalë sot në një deklaratë për mediet, ku ka folur përsëri lidhur me skandalin e tjetërsimit të pronave në Jalë dhe ka vijuar me akuzat ndaj ish-ministrit Damian Gjiknuri.
“Jemi sot këtu për të denoncuar aferat korruptivë që ndodhin me tokat në bregdetin shqiptar. Drejtoria e ALUIZNI-t Vlorë së bashku me zyrën vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtëshme Vlorë kanë legalizuar dhe hipotekuar për 24 orë objekt dhe truall me vendodhje në Jalë, Vuno.
Më pas Bashkia Himarë, jep një leje ndërtimi për kompaninë ‘Jala Investment’, pikërisht në këtë sipërfaqe toke.
Ajo që ne evidentojmë është pikërisht fakti se aksionerë të kësaj kompanie janë kushërinjtë e parë të deputetit të qarkut të Vlorës, z. Damian Gjiknuri.”– deklaroi Agalliu.
Gjatë daljes së tij për mediet, deputeti demokrat i drejtoi disa pyetje deputetit dhe ish-ministrit socialist, ndërsa shtoi se “Partia Demokratike inkurajon fort çdo qytetar të denoncojë fort çdo akt korruptiv, çdo presion që ndodh nga punonjës të caktuar, të korruptuar në administratës publike.”
Pyetjet e Agalliut për Gjiknurin:
- A ka ndërhyrë z. Damian Gjiknuri në institucione si ALUIZN-i dhe Hipoteka Vlorë, për të përshpejtuar dhënien e lejes së legalizimit për këtë objekt?
- A ka ndërhyrë z. Damian Gjiknuri në Bashkinë Himarë për të marrë leje ndërtimi kompania “Jala Investment” ku aksionerë janë kushërinjtë e parë të tij?
- A po ndërhyn z. Damian Gjiknuri pranë organeve të drejtësisë në këto momente, të cilat janë duke shqyrtuar rastin?