Për rreth dy orë, presidenti amerikan Biden e ai rus Putin zhvilluan ditën e djeshme një videokonferencë të paralajmëruar më herët teksa tensionet mes dy vendeve janë në nivele të larta.
Në qendër të diskutimeve ka qenë situata e tensionuar në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë.
Sipas agjencive amerikane të sigurisë, Rusia ka planifikuar një pushtim të Ukrainës në javët në vijim teksa ka grumbulluar trupa të shumta ushtarake në kufi, gjë që është hedhur poshtë me forcë nga Kremlini.
E veçanta
Ra në sy se gjatë videokonferencës Biden shoqërohej nga Sekretari Blinken, këshilltari për sigurinë Jake Sullivan e drejtori i CIA-s, William Burns si dhe një tjetër zyrtare e lartë, ndërsa Putin ishte krejt i vetëm.
Po çfarë ndodhi në takimi e djeshëm
Çfarë kërkoi Biden
Presidenti amerikan Biden, i përsëriti homologut të tij paralajmërimin se një sulm rus ndaj Ukrainës do ishte me pasoja të pallogaritshme për Moskën dhe se ajo do përballej me sanksione të rënda. Po kështu, gjatë takimit, shefi i Shtëpisë së Bardhë bëri me dije se në rast sulmi ndaj Ukrainës, SHBA-ja do furnizonte me armatim e pajisje aleatët në Europën Lindore, por pa përcaktuar më shumë hollësi.
Biden theksoi se në rast të sulmit ndaj Ukrainës, gazsjellësi Nord Stream 2 që pritet të çojë gaz nga Rusia drejt Gjermanisë për t’u shpërndarë drejt Europës, do bllokohej përfundimisht. Menjëherë pas përfundimit të bisedës, Biden foli me telefon me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, mbështetja e të cilëve, sipas zyrtarëve amerikanë, do të jetë vendimtare për frenimin e liderit rus.
Çfarë kërkoi Putin
Putin nga ana e tij, i kërkoi homologut të tij garanci se NATO nuk do të zgjerohet më tej në lindje dhe se nuk do vendosë armë sulmuese në vende si Ukraina.
Moska është ‘seriozisht e interesuar’ në marrjen e ‘garancive ligjore të besueshme dhe të forta’ duke përjashtuar zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s drejt lindjes dhe vendosjen e ‘sistemeve të armëve sulmuese sulmuese në vendet ngjitur me Rusinë’, tha Kremlini në një deklaratë pas takimit të dy liderëve.
Sipas shefit të Kremlinit Kievi ‘ka përdorur një politikë shkatërruese që ka si qëllim çmontimin e plotë të marrëveshjeve të Minskut dhe bisedimeve të ‘formatit të Normandisë’. Ai shprehu gjithashtu shqetësimet serioze të Moskës për ‘veprimet provokuese’ të qeverisë në Kiev kundër banorëve të Donetsk dhe Lugansk, dy rajone të shkëputura në Ukrainën lindore.
Dyshja Biden-Putin u takuan për herë të fundit në qytetin zviceran të Gjenevës në qershor. Takimi u përshëndet si produktiv nga dy krerët e shteteve, duke mbuluar tema të tilla si përhapja bërthamore dhe menaxhimi i pandemisë Covid-19. / Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani