Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se do kryenin atentat mafioz në Tiranë, kapet arsenali i armëve në Lezhë, prangosen 3 persona e shpallen në kërkim 2 të tjerë


Tre persona të cilët dyshohet se do kryenin një atentat mafioz janë arrestuar në Lezhë ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas policisë, vrasja do kryhej për prishje pazaresh droge. Gjatë operacionit të koduar ‘Mataro’ janë sekuestruar një arsenal armësh ku përfshihen 2 mina me telekomandë, rreth 89 mijë euro, 2 armë automatike me shënjestër optike, një armë automatike ‘Scorpions’ me silenciator, 2 automatikë Kallashnikov, 1 pistoletë ‘Glock’, fishekë luftarakë, dy kapsolla plasëse, 1 armë gjahu, radio marrëse-dhënëse si të policisë, 1 mjet e 2 skafandar motori.

Në pranga kanë rënë Mark Lamkja 27 vjeç, Nikoll Marku 62 vjeç dhe Marie Marku 60 vjeç ndërsa në kërkim janë shpallur Edmir Vlashi 31 vjeç dhe Hektor Ndoka 31 vjeç.

Dyshohet se atentati mafioz do kryhej në Tiranë për shkak të prishjes së pazareve të drogës jashtë vendit të personave të përfshirë dhe shënjestrës.

Personat që do kryenin atentatin dyshohet se janë Edmir Vlashi e Hektor Ndoka, të cilët i kishin strehuar armët në banesën e restorantin e Nikoll Markut. Mark Lamkja, dhëndri i Nikoll Markut është arrestuar me një pistoletë në makinë, në përpjekje për të fshehur provat që u gjetën gjatë kontrollit të policisë.