Vendosni fjalën kyçe....

Ishte projektuar nga Maks Velo, shembet godina e parë 7-katëshe në Tiranë (VIDEO)


Shembet ndërtesa 7-katëshe e projektuar nga arkitekti Maks Velo dhe e ndërtuar në vitin 1976 që mbante statusin monument kulture i kategorisë II.

Bëhet fjalë për ndërtesën e ish-Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), e njohur ndryshe si pallati 7-katësh, e ndodhur në bulevardin “Zogu i Parë”.

Pedagogu dhe aktivisti i njohur Ervin Goci publikoi disa pamje në rrjetet sociale nga shembja e godinës.

“7-katëshi i Maks Velos, duke u prishur në mes të ditës, një godinë në gjendje shumë të mirë siç ka thënë dhe konstruktori Orhan Sakiqi .

E varrosën Maksin, bashkë me eshtrat e veprave të tij, tani i dalin dhe i këndojnë odë për veprën. Të gjithë maskarenjtë që për ç’nuk flasin e për ç’nuk na çajnë veshët, nuk flasin se si po shkatërrohet një pasuri e arkitekturës dhe e trashëgimisë. Këtyre u pordh m’u në gojë.

Qelbësira staliniste!

Vemje të Partisë së Punës.”- shkruan ai ndërsa publikon pamjet.

Vendimi për prishjen e këtij monumenti kulture është marrë nën justifikimin se ndërtesa ka pësuar dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.