Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin ka kërkuar falje për daljen e saj në një klub nate pasi ra në kontakt me një person të infektuar me Covid-19 në zyrën e saj. Ajo u justifikua duke thënë se kishte keqkuptuar rregullat.
Në një shpjegim të gjatë të postuar në “Facebook” të hënën, Marin shpjegoi se ishte në dijeni se Sekretarja e Jashtme Pekka Haavisto kishte rezultuar pozitive për Covid-19, por, duke qenë plotësisht e vaksinuar, ajo gjithsesi vendosi të shijonte mbrëmjen e së shtunës me bashkëshortin dhe miqtë e saj.
Marin tha se të nesërmen ajo kishte marrë një mesazh që i ishte dërguar në telefonin e saj të punës ku i rekomandohej që ajo të shmangte kontaktet sociale dhe të kryente një test. Megjithëse rezultati i testit të saj ishte negativ, kryeministrja pranoi se mund të kishte vepruar më mirë të shtunën.
“Më vjen shumë keq që nuk e kuptova se duhej ta bëja këtë.”- shkroi Marin.
Personave të vaksinuar plotësisht në Finlandë nuk u kërkohet të izolohen pasi janë ekspozuar ndaj një personi pozitiv me Covid, por atyre u këshillohet të shmangin kontaktet sociale derisa të marrin një rezultat negativ të testit. Një gjë që Marin u kritikua se duhej ta kishte bërë për të dhënë një shembull.
Deklarata e Marin erdhi pas shumë kritikash që kishte marrë nga opozita, pasi fotot e saj në klubin e natës qarkulluan në rrjet.