Olaf Scholz është betuar si kancelari i ri i Gjermanisë, duke i dhënë fund 16 viteve historike të Angela Merkelit si lidere e këtij vendi.
Ai u votua nga parlamenti gjerman, ku koalicioni i tij trepartiak ka një shumicë të konsiderueshme. Social Demokratët e tij të qendrës së majtë do të qeverisin së bashku me të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë miqësorë për biznesin.
Dorëzimi i pushtetit shënon fundin e karrierës politike 31-vjeçare të zonjës Merkel.
Scholz i çoi socialdemokratët drejt fitores së zgjedhjeve në fund të shtatorit, duke e pozicionuar veten si kandidati i vazhdimësisë, sepse ai luajti një rol kyç në qeverinë e Merkel si zëvendëskancelar.
Parlamenti gjerman, Bundestagu, e mbështeti emërimin e tij me 395 vota pro dhe 303 kundër dhe më pas ai u emërua zyrtarisht si kancelari i nëntë federal nga Presidenti Frank-Walter Steinmeier.
Pas votimit në parlament, ai u pyet nga presidenti i Bundestagut, Bärbel Bas, nëse e pranoi emërimin dhe tha “Po“. Më vonë ai u kthye në Bundestag për të bërë betimin dhe u përshëndet me ovacione.
Që nga zgjedhjet, partia e Scholz-it ka punuar me të Gjelbërit dhe Demokratët e Lirë për një marrëveshje koalicioni, e cila u nënshkrua përfundimisht të martën.
Ai merr sot detyrën nga zonja Merkel, duke kryesuar kabinetin e parë të Gjermanisë me 16 anëtarë që përfshin po aq gra sa burra. Qeveria e re ka plane ambicioze për të luftuar ndryshimin e klimës duke hequr qymyrin në fillim dhe duke u fokusuar në energjinë e rinovueshme, por prioriteti i tyre fillestar do të jetë luftimi i pandemisë së koronavirusit.