Fëmijët që rriten nga prindër të paarsimuar kanë më shumë gjasa të jetojnë në varfëri ku të jenë në moshë madhore në krahasim me fëmijët e tjerë që rriten nga prindër të arsimuar.
Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria kishte përqindje të lartë te të rinjve nga mosha 25-28 vjeç (28.5%) që rrezikojnë varfërinë për shkak të trashëgimisë së ulët arsimore të prindërve.
Në vitin 2019, shkalla e rrezikut nga varfëria në BE ishte më shumë se dy herë më e lartë për të rriturit (nga 25 deri në 59 vjeç) prindërit e të cilëve kishin një nivel të ulët arsimimi (20.3%) sesa ishte për të rinjtë prindërit e të cilëve arsim të lartë (8.6%). I njëjti tregues ishte 12.0% për të rinjtë që kishin prindërit me arsim të mesëm.
Nivelin më të lartë të varfërisë për shkak të origjinës arsimore e kanë vendet e Ballkanit. Rumania u rendit e para në Europë pasi 37.4% e të rinjve të moshës 25-28 vjeç rrezikojnë varfërinë se janë rritur në familje të paarsimuara. Treguesi është i lartë edhe në Malin e Zi me (35 %), Bullgari (33.7%), Serbi (33.6%), Maqedonia e Veriut (30%), Letonia (28.5%).
Përqindja e njerëzve në rrezik të varfërisë që kishin prindër me nivel të ulët arsimor ishte më shumë se 20% në 10 shtete anëtare të BE-së.
Në të kundërt, normat më të ulëta u vunë re në Çeki (9.3%) dhe Danimarkë (9.4%) si dhe në Holandë dhe Finlandë (të dyja 10.3%).
Norma më e madhe e rrezikut nga varfëria në mesin e njerëzve që kishin prindër me arsim të lartë ishte në Austri (14.8%) dhe Suedi (12.7%), ndërsa normat më të ulëta u regjistruan në Çeki (2.3%) dhe Rumani (3.2%).
Arsimi dhe pasuria kanë një lidhje të fortë. Vendet që kanë prosperuar ekonomikisht fillimisht kanë investuar fort në sistemet e tyre arsimore. Të tilla modele si Koreja e Jugut dhe Singapori dhe Tajvani në fillim të viteve 60 kishin një popullsi të re në moshë, të cilën e orientuan drejt arsimit në të gjitha nivelet. Pak dekada më pas vendet morën përfitimet nga dividendi demografik dhe sot janë në krye të listës së vendeve të zhvilluara.
Një familje e arsimuar ka më shumë shanse të orientojë fëmijët tek e njëjta rrugë dhe gjithashtu ka më shumë mundësi financiare në dispozicion për të përballuar nevojat e shkollimit. Prandaj gjithnjë e më shumë pabarazitë shoqërore po reflektojnë pabarazitë në arsim.
Në Shqipëri ky kontrast u vu re gjatë pandemisë Covid-19, ku fëmijët nga familjet e varfra humbën mundësinë për të ndjekur mësimin në distancë pasi prindërit e tyre nuk kishin mundësitë financiare t’i pajisnin ata me tableta dhe internet.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al