Vendosni fjalën kyçe....

Gabriel Escobar vjen sot në Tiranë, takimin e parë e ka me Bashën


Sot mbërrin në Tiranë zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-ve për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.

Sikurse ka bërë me dije ambasada amerikane, ai do të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Rama, me ministren e Jashtme Olta Xhaçka, me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, si dhe me të tjerë zyrtare.

Takimin e parë Escobar mësohet se do ta zhvillojë me kryetarin e PD-së në orën 11:30. Më vonë, rreth orës 14:30, do të ketë një takim me ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Në fund vjen takimi me kryeministrin Edi Rama në orën 17:00.

Vizita e Escobar vjen vetëm dy ditë para Kuvendit Kombëtar të PD-së të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Një veprim që vjen pas shpalljes së tij “non grata” nga DASH si dhe përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i PD-së.

Kryedemokrati Lulzim Basha, në një intervistë televizive është shprehur se e shikon ardhjen e Escobar si një sinjal të SHBA-ve se qëndrimet e tyre në lidhje me shpalljen “non grata” të Berisha nuk janë personale të individëve të caktuar, por qëndrime zyrtare të politikës së jashtme amerikane.

Lidhur me vizitën e zyrtarit të lartë, ambasada amerikane theksoi se “Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”.