Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa në foltoren e Kuvendit, është shprehur se do të votojë pro projektligjit “Për ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me vendosjen e kufizimeve të importit të kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë”.
Gjatë fjalës së saj, Zhupa dha arsyet se pse demokratët do të votojnë pro, ama shtoi se nuk mund të linte disa gjëra pa thënë lidhur me këtë, duke akuzuar qeverinë se ka “Zero” vëmendje dhe interes për të ruajtur trashëgiminë tonë kulturore.
“Është mëse normale që PD do ta mbështesë këtë marrëveshje për vetë faktin se është e mirë për vendin tonë, por edhe për vetë faktin se lidhet me një partner strategjik, me një aleat tonin, i cili vetëm ndihmon Shqipërinë me sfidat e saj në demokraci.
Siç e përcakton DASH në deklaratat zyrtare, kjo marrëveshje ilustron marrëdhëniet e qëndrueshme të SHBA-ve me Shqipërinë, për të kundërshtuar trafikimin e pronave kulturore dhe për të ruajtur trashëgiminë.
Marrëveshja i lejon SHBA-ve të vendosin kufizime importi për kategori të caktuara të pronave kulturore të Shqipërisë, duke zvogëluar kështu mundësinë për plaçkitjen dhe e veprave arkeologjike dhe historike në Shqipëri.
Marrëveshja u jep mundësinë autoriteteve amerikane që të kenë mundësinë për të riatdhesuar objektet kulturore të trafikuara në Shqipëri dhe të nxisë shkëmbimet e trashëgimisë kulturore shqiptare me institucionet amerikane.
Sigurisht unë e thashë që do të votojmë pro, por nuk mund të lë pa thënë disa të vërteta të mëdha në lidhje me këtë fushë.
Në Shqipëri ka pasuri arkeologjike, por nuk ka pasur në këto 8 vite vullnetin dhe paratë në dispozicion për t’i vënë në dukje këto pasuri.
Arkeologët në Shqipëri janë vënë në vështirësi të mëdha të punës në terren dhe zero, ZERO buxhet për dietat e tyre dhe punën në terren.
Ata kanë mungesë laboratorësh dhe ambientesh për studimin, konservimin, inventarizimin, e objekteve arkeologjike që zbulohen. Mungesa e ekspeditave dhe e restaurimit të objekteve ekzistuese ka çuar në degradimin e një pjese të tyre por edhe për hapjen e mundësisë për vjedhjen e tyre nga çdo keqbërës të cilin e shikon si treg të mirë.
Po të pyesësh peshkatarët në qytetet tona bregdetare, do të tregojnë mbetjet e anijeve të mbytura. Por këto kanë mbetur objekt i kuriozitetit të atyre që merren me zhytje dhe atyre që kanë dëshirën për të parë. Ndërkohë që nuk është bërë objekt i njohjes së arkeologëve dhe objekt i shtetit, ministrisë për t’u studiuar dhe për të marrë vesh.
Vetë shteti jonë ka ZERO vëmendje për objektet arkeologjike dhe mjafton të kujtojmë rastin e famshëm të Velierës në Durrës. Është mbuluar me beton një nga strukturat e zbuluara nga sondazhet arkeologjike, për të cilën përfaqësuesit tuaj duhet të kishin filluar studimin.
Por jo, ju zgjodhët të shkelnit 3 ligje, të betonizonit atë pjesë dhe kaq mjafton për të kuptuar merakun tuaj për pasurinë tonë kulturore.”– deklaroi Zhupa.