Vendosni fjalën kyçe....

Josep Borrell reagon pas sanksioneve të SHBA-ve ndaj serbëve në Kosovë: Hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar


Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka reaguar pas vendosjes së sanksioneve të disa serbëve nga Kosova, të cilët, sipas Shteteve të Bashkuara janë pjesë e një grupi të krimit të organizuar.

Në një postim në “Twitter”, Borrell tha se “ky është një hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.”

“Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në mbarë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij synimi të përbashkët.” – shkruan Borrell i cili shpërndan njoftimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.

Ditën e djeshme, ai njoftoi se kanë futur në listën e sanksioneve: Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova.

Sipas njoftimit të Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Me futjen e këtyre personave në listë, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.