Nga Klodian Tomorri
Pikërisht ditën që zv/ndihmës Sekretari i Shtetit Escobar erdhi në Tiranë për të përçuar mesazhin e luftës kundër korrupsionit me kryeministrin në krah, qeveria shqiptare ndryshoi buxhetin. Mes ndryshimeve ishte dhe dhënia e 5 milionë dollarëve të tjera Ministrisë së Shëndetësisë si shtesë për të paguar tenderët e famshëm të RapidTesteve. Përfituesi i parave? Një peshkaqen më gojë të madhe.
Ironikisht në të njëjtën ditë, FMN publikoi raportin e mbikëqyrjes për ekonominë shqiptare ku thotë shprehimisht: “Qeveria shqiptare duhet të publikojë kontratat e prokurimit të lidhura me pandeminë dhe rindërtimin, emrat e kompanive fituese dhe emrat e pronarëve përfitues.”
Shikoni pak! Këta kanë detyruar FMN-në të shkruajë në raport që mos vidhni më. Kjo është e paprecedentë. Ashtu siç është e paprecedentë, që për herë të parë FMN i thotë një qeverie shpenzoji paratë për njerëzit, jo në tenderë abuzivë.
Përtej shqetësimeve për parametrat makro, që është dhe detyra funksionale e FMN-së, ky ishte mesazhi kryesor i raportit këtë herë. FMN i thotë haptazi qeverisë; paratë e buxhetit jepua njerëzve, mos shpik tenderë për t’i ndarë sipas oreksit. Nuk ka ndodhur kurrë.
Tani të kthehemi pak tek tenderët e Covidit. Një maskaradë e madhe. Batërdi babëzie ku ndahen fshehurazi paratë e buxhetit. Këtu u bë një tender 5 milionë dollarë për blerje testesh. Në garë hyri një kompani italiane që ofroi t’i furnizonte me 1.5 milionë euro. E s’kualifikuan dhe ia dhanë tenderin Evitës, që e kishte ofertën 4 milionë euro. Gati tre herë më shtrenjtë. E s’kualifikuan italianin, i thanë që nuk e ke shkruar aty te oferta, e ke me apo pa TVSH.
Shikoni çfarë po ndodh në Itali. Nuk dihet se sa njerëz kanë hyrë në burg për tenderët e Covid. Biznesmenë, zyrtarë të emergjencave civile, drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë. Tani po ia bëjnë gati edhe Arcurit, komisarit të jashtëzakonshëm që vendosën për të menaxhuar pandeminë. Pikërisht për një tender maskash.
Në Itali nuk ka guxuar njeri të bëjë çerekun e asaj që është bërë këtu me tenderët e Covidit. Por ata po i rrasin të gjithë brenda. Kurse këtu ka mbetur vetëm të pyetet SPAK-un, hë keni kapur gjë?