Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi vendos, Denar Biba zgjidhet me 72 vota si kryetar i Autoritetit të Konkurrencës


Kuvendi ka miratuar zgjedhjen e Denar Bibës si kryetar i Autoritetit të Konkurrencës.

Ai mori 72 vota pro, 37 kundër dhe 0 abstenime. 

Biba zëvendëson në krye të Autoritetit të Konkurrencës, Luljana Latifin. 

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla e konsideroi të rregullt procesin e votimit, pavarësisht kontestimeve që pati më herët nga anëtarët demokratë të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën.

“Ju bëj me dije që ne patëm një diskutim me drejtuesit e dy grupeve parlamentare dhe u ra dakord të vijohej në respekt të vendimit të Sekretariatit për Procedurat, Votimit dhe Etikën, i cili ka vendosur që miratimin e formatit dhe përmbajtjes së fletës së votimit sipas modelit bashkëlidhur këtij vendimi. Fleta e votimit vuloset me vulën e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën në pjesën e përparme. Fleta e votimit shumëfishohet në numër të barabartë me numrin e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Në përfundim të votimit, fletët e papërdorura asgjësohen nga Sekretariati. Rregullat e parashikuara në nenin 60, pika 4 të Rregullores së Kuvendit lidhur me vlefshmërinë e fletës së votimit zbatohen edhe në këtë rast.

Fletët e votimit mbahen në ruajtje nga Shërbimi i Seancës Plenare dhe pas përfundimit të procesit të votimit depozitohen në Arkivin e Dokumentacionit Parlamentar sipas rregullave të përcaktuara. Ngarkohet Shërbimi i Seancës Plenare të marrë masat e nevojshme për shumëfishimin dhe shpërddarjen e fletëve të votimit, deputetëve. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për mbështetjen me burime njerëzore dhe logjistike të nevojshme për procesin e votimit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 Ky vendim i Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën është firmosur nga sekretarja e Sekretariatit znj.Klotilda Bushka.

E theksoj edhe njëherë, ne patëm një diskutim shterues me drejtuesit e dy grupeve parlamentare dhe ramë dakord që të vijohet me procesin e numërimit të votave dhe t’i referojmë seancës rezultatet e votimit. Kanë votuar pro 72 deputetë, kundër 37 deputetë dhe kemi 0 abstenime.

Zoti Denar Biba emërohet kryetar i Komisionit të Konkurencës. Seanca mbyllet këtu.”– deklaroi Nikolla.

Kujtojmë se më herët anëtarët demokratë të Sekretariatit të Votimit kanë akuzuar strukturat e Kuvendit se kanë organizuar një votim të parregullt për kreun e ri të Autoritetit të Konkurrencës.

Anëtarja demokrate e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, Flutura Açka deklaroi se votimi nuk mund të vijonte pasi fletët e votimit nuk ishin firmosur nga të gjithë anëtarët e këtij sekretariati. Të njëjtin shqetësim ngriti edhe deputeti Saimir Korreshi./Hashtag.al