Në seancën e sotme plenare në Kuvend ku po votohet për emërimin e Denar Bibës në krye të Autoritetit të Konkurrencës, procesi ka hasur në probleme.
Kjo pasi anëtarët demokratë të Sekretariatit të Votimit kanë akuzuar strukturat e Kuvendit se kanë organizuar një votim të parregullt për kreun e ri të Autoritetit të Konkurrencës.
Anëtarja demokrate e Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, Flutura Açka deklaroi se votimi nuk mund të vijonte pasi fletët e votimit nuk ishin firmosur nga të gjithë anëtarët e këtij sekretariati.
“Në votimin e sotëm, të paktën në atë që ka lidhje me zgjedhjen në detyrë të kryetarit të Komisionit të Konkurrencës.
Siç e shikoni letra duhet të ketë 5 firma para se të kalojë në votim, letra nuk është firmosur nga asnjë anëtar i Sekretariatit të Votimit.
Nuk mendoj se është korrekte që ta bëjmë këtë gjë sepse kush na beson që janë të sakta votimet tona. Më vjen shumë keq që ka ndodhur kjo.
Nëse ky rast përsëritet, unë do të tërhiqem nga Sekretariati i Votimeve sepse nuk kam dëshirë të bëhem fasadë zonja kryetare. Faleminderit.”- tha Açka.
Anëtari tjetër demokrat Saimir Korreshi, u ngrit në këmbë për t’i shprehur të njëjtin shqetësim kryetares së Parlamentit, Lindita Nikolla. Ai deklaroi se votimi ishte nul, pavarësisht se votat po numëroheshin.
“I njëjti shqetësim. Nuk janë firmosur as prej meje letrat, asnjë. Kështu që ky votim është nul. Nuk mundet… atje brenda tani po numërohet, kutitë janë këtu, ne s’jemi prezent. Votat nuk janë firmosur, ne nuk e dimë se të kujt janë. Bëhet fjalë për votim të fshehtë dhe ne nuk e dimë ato letra ku vajtën.”- tha deputeti.
Për këtë arsye, zonja Nikolla deklaroi “Pesë minuta pushim sa të marrim konfirmim”.
Sipas rregullave të Kuvendit, fleta e votimit vuloset me vulën e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etiken në pjesën e përparme dhe duhen firmosur nga të gjithë anëtarët.
Anëtarët e këtij Sekretariati janë: Klotilda Bushka – Sekretare (PS), Klevis Xhoxhi – Anëtar (PS), Aurora Mara – Anëtare (PS), Flutura Açka (PD), Saimir Korreshi – Anëtar (PD)./Hashtag.al