Vendosni fjalën kyçe....

Mesazhi i parë i amerikanëve para nisjes së vizitës së Escobarit: Lufta kundër korrupsionit kërkon më shumë se fjalë


Ambasada Amerikane në Tiranë ka publikuar një mesazh me rastin e ditës ndërkombëtare anti-korrupsion, të parin mesazh para mbërritjes në vendin tonë të Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.

Në këtë mesazh SHBA-të u bëjnë thirrje të gjitha vendeve që t’u përmbahen angazhimeve të tyre për të luftuar korrupsionin dhe për të vënë para përgjegjësisë aktorët e korruptuar.

“Korrupsioni kërcënon sigurinë, barazinë ekonomike, minon sundimin e ligjit dhe zbeh besimin e publikut në institucionet qeveritare. Korrupsioni kërcënon të drejtat politike dhe liritë civile në nivel global dhe çon në gërryerjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Lufta kundër korrupsionit kërkon më shumë se fjalë, prandaj Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh në botë për mekanizmat kryesorë kundër korrupsionit, për të siguruar që vendet të përmbushin detyrimet e tyre.

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Shtetet e Bashkuara konfirmojnë përkushtimin tonë për t’i mbajtur përgjegjës aktorët e korruptuar. Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve që t’u përmbahen angazhimeve të tyre për të luftuar korrupsionin.”– thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

Këtë të enjte mbërrin në Tiranë zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-ve për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar. Ai do të kryejë disa takime me zyrtarë të lartë të vendit tonë, nga kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së Lulzim Basha me të cilët do të diskutojë pikërisht lidhur me korrupsionin dhe minimin e demokracisë.