Papa Françesku ka deklaruar se seksi jashtë martesës “nuk është mëkati më i rëndë”. Gjatë një konference për shtyp në bordin e avionit papal të hënën, Papa 84-vjeçar tha se “mëkatet e mishit nuk janë më të rëndat”.
Sipas tij, “Krenaria dhe urrejtja janë më të rëndat”.
Papa Françesku e bëri komentin pas një pyetjeje nga gazetarët në lidhje me Kryepeshkopin e Parisit Michel Aupetit, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar pas një marrëdhënieje të paqartë që kishte patur me një grua.
Edhe pse kryepeshkopi Aupetit, i cili është 70 vjeç, mohoi se marrëdhënia ishte seksuale, priftërinjtë katolikë zotohen për beqari, prandaj ai dha dorëheqjen për të parandaluar thashethemet që të dëmtonin Kishën.
Një zëdhënëse e dioqezës tha në atë kohë se “ai kishte një sjellje të paqartë me një person me të cilin ishte shumë i afërt”, duke shtuar se “nuk ishte një marrëdhënie dashurie”, as seksuale.
“Kur thashethemet rriten, rriten, rriten dhe i heqin reputacionin një personi, ai njeri nuk do të jetë në gjendje të qeverisë… dhe kjo është një padrejtësi.”– tha Françesku, citon Daily Mail. Ai shtoi: “Kjo është arsyeja pse unë pranova dorëheqjen e Aupetit, jo në altarin e së vërtetës, por në altarin e hipokrizisë”.
Megjithatë, Papa përmendi urdhrin kundër tradhtisë bashkëshortore – duke thënë se “Ky është një mëkat. Por nuk është më e rënda, sepse mëkatet e mishit nuk janë më të rëndat”.
Ai shtoi se të gjithë janë mëkatarë, përfshirë edhe ai vetë.