Vendosni fjalën kyçe....

Tre djem dhe një vajzë në dhomën e hotelit në Durrës, kërcet arma, plagoset 20-vjeçari


Një 20-vjeçar ka mbetur i plagosur mbrëmjen e kaluar në një hotel në autostradën Durrës-Tiranë.

Mësohet se i plagosur ka mbetur i riu Arni Sulejmani. Sipas Policisë, katër të rinj, tre djem dhe një vajzë 22-vjeçare kanë shkuar pas orës policore në hotelin që ndodhet 6 km nga Durrësi në drejtim të Tiranës dhe kanë qëndruar në një dhomë. Njëri prej tyre ka pasur armë zjarri me vete.

Në orët e para të mëngjesit dyshohet se të rinjtë kanë konsumuar lëndë narkotike dhe personi që kishte armë i identifikuar si Markeljan Beqiri, 26 vjeç ka qëlluar me armë shokun e tij 20-vjeçari, Arni Sulejmani.

Dyshohet se plagosja ka ndodhur pa dashje, nën efektin e lëndëve narkotike.

I dyshuari Markeljan Beqiri është shpallur në kërkim.

Policia ka shpallur në kërkim edhe shtetasin Tefik Shehu, 32 vjeç, vajzën 22-vjeçare Anxhela Brisku e cila ka marrë armën e zjarrit dhe e ka fshehur në pjesën e pasme të hotelit, si dhe shtetasi Enver Hysenaj, 66 vjeç, i cili ka strehuar të renë.

INFORMACIONI I POLICISË

Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se në ambientet e dhomës së një hoteli, në të cilën kanë qenë shtetasit M. B., T. Sh., A. B. dhe A. S., shtetasi M. B. ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin A. S., 20 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.  

Në vijim të veprimeve hetimore 26-vjeçari M. B., banues në Durrës, është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.  

Në kërkim është shpallur edhe shtetasi T. Sh., 32 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

A.B., 22 vjeçe, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”. Kjo shtetase, menjëherë pas ngjarjes, ka marrë armën e zjarrit dhe e ka fshehur në pjesën e pasme të hotelit;

E. H., 66 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka strehuar shtetasen A. B., ndërkohë që ka patur dijeni për ngjarjen.