Vendosni fjalën kyçe....

Akuzohen se përfituan sipërfaqe të mëdha toke në Himarë e Dhërmi me dokumente false, pranga 6 personave


Gjashtë persona janë arrestuar në Vlorë ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim.

Ata akuzohen se kanë përfituar sipërfaqe të konsiderueshme toke në Himarë e Dhërmi nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara.

Personat në fjalë janë ndaluar në kuadër të operacionit ‘Himara’ pas një hetimi disa mujor thuhet ndër të tjera në deklaratën e policisë.

Njoftimi

DVP Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Himara”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumentave.

Operacioni pas një hetimi disa mujor, i nisur nga strukturat hetimore të DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Ekzekutohen 7 masa sigurie si dhe shpallen në kërkim 3 shtetas që nuk u gjetën gjatë operacionit.

Operacioni i kryer nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiar, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë dhe Komisariatin e Policisë Himarë.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, si rezultat i një hetimi disa mujor, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumentave, si rezultat i provave të grumbulluara gjatë hetimit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Himara”, në kuadër të të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë për veprat penale “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, si më poshtë:

U ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:

Vasillaq Strakosha, 67 vjeç, banues në Vlorë;

Edmond Marko, 51 vjeç, banues në Himarë;

Pandeli Prifti, 42 vjeç, banues në Himarë;

Zaho Bollano, 58 vjeç, banues në Himarë;

Aleks Bifsha, 64 vjeç, banues në Vlorë;

Elton Marko., 41 vjeç, banues në Himarë, i cili ndodhet aktualisht në IEVP Vlorë, i arrestuar më parë, për një tjetër vepër penale.

U ekzekutua masa e sigurisë “Detyrim përparaqitje në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim dalje jashtë shtetit”, për shtetasin I. Gj., 68 vjeç, banues në Himarë.

Po kështu u bë shpallja në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasve:

Mihal Sila , 68 vjeç, banues në Himarë;

Aleks Kiçani, 64 vjeç, banues në Himarë;

Kristo Dhima, 68 vjeç, banues në Himarë.

Nga hetimet ka rezuluat se këta shtetas në periudha të ndryshme kohore, duke bashkëpunuar ndërmjet tyre, dyshohen se nëpërmjet falsifikimit të dokumentave, vulave, stampave e formularëve, kanë tjetërsuar dhe përfituar sipërfaqe të konsiderueshme toke, në

bregdetin e Himarës dhe Dhërmiut, të cilën më pas e kanë kaluar në pronësi të tyre, ose shitur tek persona të tjerë, duke përfituar shuma të konsiderueshme të hollash.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.