Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Mimoza Rexhvelaj, ka denoncuar falsifikimin e firmës së saj pasi Sekretari i Përgjithshëm Bardhi i lexoi emrin si firmëtare për Kuvendin Kombëtar të 18 dhjetorit.
Në një lidhje të drejpërdrejtë me Syri TV, Rexhvelaj tha se ajo ka firmosur për Kuvendin e 11 dhjetorit si përfaqësuese e Malësisë së Madhe.
Po kështu ajo tha se ndër emrat e lexuar gjatë konferencës për shtyp të numrit dy të PD-së Bardhi, një pjesë e tyre nuk janë farë delegatë duke paralajmëruar se do denoncojë në prokurori falsifikimin e firmës së saj.
“Unë kam firmosur vetëm për Kuvendin e datës 11 dhe do të jem prezent nesër në Tiranë, në Kuvendin që është thirrur nga anëtarësia dhe zoti Berisha. Deri në këtë moment nuk më është ofruar as edhe një formular për datën 18 dhe as jam kontaktuar për të firmosur. Siç jam unë, ka edhe të tjerë te ajo listë që nuk kanë firmosur. Ajo listë, gjysma e emrave të tyre nuk janë delegatë. Ajo listë nuk ka delegatët e vërtetë brenda. Reagimi im ka qenë i prerë, Mimoza Rexhvelaj ka firmosur vetëm një formular të datës 11. Nëse dikush ka patur guximin të firmosë në emrin tim, do t’iu drejtohem organeve kompetente që të marrin masa sipas ligjit.” – tha Rexhvelaj.